Familjarët e të rinjve të cilët humbën jetën pas zjarrit në një klub nate në Maqedoninë e Veriut, refuzojnë që trupat e fëmijëve dhe familjarëve të tyre të ndjerë t’i ushtrohen autopsisë.
Sipas mediave vendase mësohet se të revoltuar ata kanë bllokuar të gjitha hyrjet dhe daljet e spitalit kryesor në Koçan për të mos lejuar heqjen e trupave të fëmijëve të tyre. Ata kanë bllokuar me makina rrugën, ndërkohë që janë shprehur se nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të vriten për herë të dytë.
“Duhet të na vrisni ne që të bëni autopsi fëmijët tanë. Nuk mund ti vrisni për herë të dytë”, mësohet të jenë shprehur familjarët e viktimave.
Ndërkohë, mësohet se së fundmi në një konferencë të jashtëzakonshme ka dalë edhe presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
Ajo u shpreh se në këto momente të vështira qëndron pranë popullit të saj dhe ndan të njëjtën dhimbje me prindërit dhe familjarët e viktimave.
Gjithashtu, presidentja tha mes të tjerave se të gjithë përgjegjësit do të përgjigjen para drejtësisë dhe se kjo ngjarje siguroi që nuk do të mbetet pa “autorë”.
“E di dhe ndjej se nuk jemi vetëm. Lajmëruan të gjithë, jo vetëm fqinjët, por edhe vendet më të largëta. Të lënduarit më rëndë janë në Sofje, në Stamboll, në Greqi, në Serbi për të marrë kujdes të lartë mjekësor. Për këtë ndihmë do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska-Davkova.