Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se nuk do të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por qeveria po shqyrton mënyra për të përfshirë civilët në mbrojtjen kombëtare. Ai pritet të shpallë masa të reja në javët e ardhshme, raportoi AFP, duke cituar gazetat rajonale franceze.
Në një intervistë të regjistruar të premten dhe të publikuar të shtunën, Macron theksoi se rivendosja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, i cili u shfuqizua në vitin 2001, “nuk është një opsion realist” për shkak të mungesës së logjistikës së nevojshme. Në vend të kësaj, ai synon të forcojë “mobilizimin e shoqërisë përballë krizave” dhe ka kërkuar nga qeveria dhe ushtria të paraqesin deri në maj propozime konkrete për përfshirjen e të rinjve në mbështetjen e forcave të armatosura.
Në Francë dhe në vende të tjera evropiane po zhvillohen debate për shërbimin ushtarak mes rritjes së shqetësimeve për fuqinë mbrojtëse të NATO-s, veçanërisht pas komenteve të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka theksuar nevojën që Evropa të përforcojë sigurinë e saj.
Një sondazh i fundit tregon se 61% e francezëve mbështesin një formë të shërbimit të detyrueshëm. Ndërkohë, ish-kryeministri Édouard Philippe ka sugjeruar krijimin e një shërbimi vullnetar ushtarak për trajnim vjetor të 50,000 personave, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, ka propozuar rritjen e rezervës ushtarake në 100,000 anëtarë.