Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje në nder të së rinjve që humbën jetën tragjikisht pasi klubi u përfshi nga zjarri.
Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, u mor vendimi për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.
“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.
Në një deklaratë për mediat ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se 15 persona janë arrestuar. Sipas ministrit në pranga kanë rënë zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, stafi dhe djali i pronarit të klubit “Plus” në Maqedoni si dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Deri në këtë moment, në lidhje me këtë ngjarje penalo-juridike ka ma shumë se 20 persona të dyshuar. Rreth 15 persona janë në stacion të policisë. Disa prej të dyshuarve për shkaktimin e këtij rasti penalo-juridik kanë ndërruar jetë”, tha ai ndër të tjera.
Lidhur me këtë tragjedi erdhi dhe një reagim edhe nga Papa Françesku. Ai u shprehu ngushëllime familjarëve që humbën të dashurit e tyre pas zjarrit që shpërtheu në qytetin e Koçanit, Maqedonia e Veriut në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Papa Françesku u përcolli ngushëllimet e tij të thella dhe po lutet për të lënduarit pas zjarrit tragjik që shpërtheu gjatë natës në një klub nate në Koçan, Maqedonia e Veriut.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan. Zjarri përfshiu klubin e natës ku ndodheshin 1500 persona, ndërkohë si pasojë e flakëve fatkeqësisht humbën jetën 59 persona, ndërsa 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Më herët ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari bëri me dije se 20 prej të plagosurve janë nisur me urgjencë në spitalet jashtë vendit pasi fatkeqësisht gjendja e tyre është më e rëndë.