Elbasani dhe Dinamo u ndalën në një barazim 1-1 në sfidën e vlefshme për javën e 30-të të Superiores, e luajtur në “Elbasan Arena”. Ndeshja pati dy tablo të ndryshme: pjesa e parë u dominua nga Dinamo, ndërsa e dyta pa Elbasanin më kërkues.
Dinamovitët kaluan në avantazh në minutën e 39-të me golin e Karambas, duke shfrytëzuar një moment pasigurie në mbrojtjen kundërshtare. Në fraksionin e dytë, verdheblutë reaguan dhe arritën të barazonin me një gol të Emiljano Mustës në minutën e 73-të. Elbasani madje ishte pranë përmbysjes, por pa sukses. Në fund, nën sytë e tifozëve të shumtë, të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë. “Pjesa e parë ndoshta ishte gabim që e respektuam më shumë se e meriton Dinamo – tha tekniku verdheblu Ivan Gvozdenovic -. Është e mirë, por jo më e mirë se ne. Shansi i ndeshjes ishte i Kasës. Po të gjuante me të brendshme nga ana tjetër, ndoshta shënonte gol. Nuk e kuptoj si mund të gjuash në këtë mënyrë. Mund të fitonim ndeshjen në pjesën e dytë”.
Ky rezultat mban gjallë shpresat e Elbasanit për një vend në “Final 4”, pasi qëndron në vendin e pestë me 37 pikë, megjithëse ndodhet ende 7 pikë larg Partizanit, që mban vendin e katërt. Dinamo, ndërkohë, me 51 pikë, vazhdon të mbetet në ndjekje të kreut nga vendi i dytë. E megjithë mungesën e fitores, tekniku i bluve Ilir Daja ka ngritur lart shpirtin e garës së lojtarëve të tij: “Në momentin që mbaroi ndeshja, pashë lojtarët me kokën ulur, u thashë ngreni kokën, vetëm ju mund të bëni atë që bëtë sot. Kanë rikuperuar mungesat, kanë dhënë maksimumin. Pjesën e parë e administruam, shkuam drejt golit, mund të dyfishonim rezultatin”.
Barazim i zbehtë mes Partizanit dhe Teutës
Sfida mes Partizanit dhe Teutës përfundoi pa gola në “Arena e Demave”, në një ndeshje që nuk dhuroi as spektakël dhe as emocione të shumta.
Lexo më tej: Pa fitues, VAR anulon penalltinë e Laçit e golin e Bylis: Moriero në spital nga zemra
Të dyja skuadrat u përplasën më shumë me ndërprerje dhe faulle, ndërsa loja e rrjedhshme mungoi. Sidomos në pjesën e dytë, minutat efektive të lojës ishin të pakta, duke e bërë takimin një duel për t’u harruar. Një pikë që, ndonëse nuk mjafton, ka rritur moralin e teknikut të bregdetarëve Bledar Hodo: “Kam besim të plotë te ky grup, pavarësisht vështirësive. Sidomos në repartin e mbrojtjes, kam besim te këta çuna, që do t’ia dalim me sukses. Do të tentojmë disa më tepër, duam ta mbyllim me sukses këtë vit që e kemi pasur të vështirë”, u shpreh Hodo.
Në fund, asnjëra prej skuadrave nuk mund të jetë e kënaqur me rezultatin, pasi barazimi nuk i shërben plotësisht as objektivave të Partizanit dhe as Teutës në këtë fazë të kampionatit. “Pritshmëritë ishin të larta, vinim nga një rezultat pozitiv dhe donim të vazhdonim – tha tekniku i të kuqve Arbër Abilaliaj -. E dinim që Teuta do të mbrohej dhe ishte e vështirë. Besoj se na mungoi e para freskia, dhe e dyta kualiteti në metrat e fundit. Kemi rrezikuar në goditjet standarte, me topin poshtë kishim mundësinë të bënim më mirë”.