Një prapavijë direkte politike e ka quajtur dirigjenti Jetmir Barbullushi largimin e tij si drejtues artistik nga orkestra simfonike e Shkodrës.
Barbullushi shprehet se fakti që orkestra simfonike u rivendos në funksion kur kryetar bashkie ishte Bardh Spahia i PD në vitin 2022 pas shumë kohësh pas shumë kohësh mungesë nuk e bën atë një person politik.
Barbullushi thotë se zëvendësimi i tij me dirigjenten Elda Laro u bë pa e njoftuar fare dhe akuzon se kjo lëvizje sipas tij është për arsye politike, por totalisht e gabuar pretendon dirigjenti. Gjithçka u vendos me konkursin që bashkia Shkodër nisi të bënte për instrumentistët e orkestrës simfonike, një konkurs absurd e quan Barbullushi ku u tentua emërimi i muzikantëve sipas bindjeve politike, duke shtuar edhe faktin se kjo orkestër u tkurr në 21 instrumentistë nga 52 që kishte.
Problemet nisën më herët pas ardhjes së PS në drejtimin e bashkisë Shkodër, që me koncertin e Ramë Lahaj, koncertin me muzikën e filmit shqiptar, i pari në vend, festivalin Luleborë apo edhe koncertin e fundvitit “Ndërmendje”.
Sa i përket pretendimit të bashkisë Shkodër se zëvendësimi me Elda Laron është bërë për të sjellë artisë ndërkombëtarë, Barbullushi thotë se prej 32 vitesh është ai që me orkestrën simfonike të RTSH ka sjellë artistë nga e gjithë bota.
Jetmir Barbullushi e nisi punën me orkestrën simfonike të Shkodrës në fillim vitet ’80 deri në 1991 kur u ndërpre për shkak të ndryshimit të sistemit. Barbullushi mori iniciativën për ta rikthyer orkestrën simfonike në vitin 2022 dhe pas 3 vitesh detyrohet të largohet nga ky post për shkak të zëvendësimit të tij nga Elda Laro, një vendim ky i bashkisë Shkodër.