Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën tragjikisht pas djegies së diskotekës në Koçan.
Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në komunën e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën, ndërsa 155 persona morën lëndimet të rënda, qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.
“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.
Qeveria mori vendim për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.