Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shprehu gatishmërinë për një marrëveshje me Kosovën, por theksoi se ajo duhet të jetë një zgjidhje kompromisi dhe jo e njëanshme.
Gjatë një interviste me Donald Trump Jr. në platformën Rumble, Vuçiç theksoi se Serbia është nën një presion të madh në lidhje me dialogun me Prishtinën dhe shtoi se kanë qenë gjithmonë të hapur për marrëveshje, por që ajo duhet të respektojë integritetin territorial dhe kushtetutën e Serbisë.
Ai kërkoi një zgjidhje që të përfshijë kompromis nga të dyja palët, duke shmangur kritikat ndaj zyrtarëve të Prishtinës. Për sa i përket protestave në Serbi, Vuçiç tha se ato janë të lidhura me agjenci të majta në SHBA.
Ndërkohë, Donald Trump Jr. përshkroi Serbinë si një vend që po përqafon tregun e lirë dhe mbështet vlerat e lëvizjes Trump, duke vënë në dukje se vendi është gjithashtu në favor të Donald Trump për president të SHBA-së.