Beogradi është përfshirë nga protesta masive të studentëve serbë kundër korrupsionit, të cilat vazhdojnë prej disa muajsh dhe kanë tronditur kontrollin e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Tensionet po rriten, teksa sot në mëngjes, para nisjes së një proteste masive, është regjistruar dhe një incident, ku një makinë është futur mes turmës së njerëzve dhe ka marrë përpara edhe një protestues. Kjo ka sjell rebelimin e protestuesve të tjerë që ishin prezent në atë moment.
Studentët serbë kanë protestuar për javë të tëra, por kanë paralajmëruar se e sotmja do të jetë protesta më e madhe e tyre deri tani. Slogani “me 15 mars për 15” ka të bëjë me 15 viktimat e rrëzimit të betonit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Për këtë, Vuçiç u bëri thirrje të gjithëve që protesta e sotme në Beograd të jetë paqësore dhe që autoritetet shtetërore të mos përdorin forcë përveç në rastet e nevojës absolute dhe tha se shteti do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Ai tha se protesta që pritet të mbahet nga ora 16:00 është e paligjshme, dhe se nëse ka nevojë, do të ketë arrestime.