Louis Saha ka ditur të përfitojë nga përvoja e tij si futbollist, në kuptimin e plotë të fjalës. Ish-sulmuesi i Newcastle, Manchester United, Everton, Tottenham, Sunderland dhe me një periudhë të shkurtër te Lazio, sot ka një pasuri prej 4.3 miliardë paundësh, ose rreth 5 miliardë eurosh. Kjo falë një platforme që ofron konsulencë dhe mbështetje për futbollistë, atletë profesionistë dhe artistë, duke i ndihmuar ata të menaxhojnë më mirë të tashmen dhe, mbi të gjitha, të sigurojnë të ardhmen.
Louis Saha ka krijuar një platformë që është bërë perandoria e tij
AxisStars është emri i kompanisë së themeluar nga Saha, e cila, siç përshkruhet në biografinë e saj zyrtare, është “një mjedis i sigurt, i krijuar posaçërisht për atletët profesionistë dhe artistët, që bashkon burime të besueshme në një aplikacion të thjeshtë, duke u dhënë atyre kontroll dhe besim për një të ardhme më të mirë”. Projekti u krijua me synimin për të ndihmuar sportistët dhe artistët që hasin vështirësi financiare pas përfundimit të karrierës së tyre.
Në një intervistë për “The Guardian”, Saha ka treguar për jetën e tij të re pas varjes së këpucëve në gozhdë. Ndryshe nga shumë kolegë të tij që kanë shpërdoruar pasuritë e fituara gjatë karrierës, ai ka gjetur rrugën e duhur duke u angazhuar për të ndihmuar ata që janë në vështirësi. Që nga viti 2013, ish-reprezentuesi francez ka punuar pa ndalur për të zhvilluar këtë projekt, duke ofruar zgjidhje për ata që kanë nevojë për këshilla, konsulencë financiare dhe mundësi investimi. Një nga objektivat kryesore është të ndihmojë sportistët të aksesojnë sponsorizime dhe mundësi të ndryshme biznesi.
Si u bë Saha miliarder pas largimit nga futbolli?
Saha ka qenë vizionar duke kuptuar se, pavarësisht një karriere të suksesshme, shumë sportistë përballen me dështime financiare për shkak të vendimeve të gabuara, investimeve të dështuara, shpenzimeve të pakontrolluara dhe mungesës së një plani për të ardhmen. Ai vetë është përballur me sfida të mëdha gjatë karrierës, veçanërisht me dëmtime të shumta, gjë që e ka bërë të reflektojë për të ardhmen e tij pas futbollit.
Sot, Saha e konsideron veten një menaxher të vërtetë: “Tani punoj 25 orë në ditë. Është jashtëzakonisht sfiduese”. Futbolli mbetet pjesë e jetës së tij përmes ndeshjeve bamirëse dhe përfshirjes në aktivitete me legjendat e sportit. Por më e rëndësishme për të ka qenë aftësia për të menduar dhe për të bërë të tjerët të reflektojnë: “Kisha nevojë të flisja, të shprehja diçka. Fillova të shkruaja dhe kjo funksionoi si një terapi. Ishte një mënyrë për të përpunuar gjërat, një formë komunikimi”.
Pikërisht për këtë arsye ai ka shkruar një libër si burim frymëzimi për futbollistët e rinj, duke u dhënë atyre këshilla dhe perspektiva për të ardhmen.
Nga libri te platforma për të ndihmuar lojtarë, muzikantë e artistë
Pas suksesit të librit të tij Thinking Inside the Box, Saha vendosi të zgjerojë aktivitetin e tij: “E kuptova që vërtet doja të ndihmoja të rinjtë. Mendova të bëhesha agjent, trajner apo konsulent, por në fund zgjodha të krijoja një platformë dixhitale. Kjo më dukej mënyra më e fuqishme, sepse mund të përdoret nga çdokush. Nuk është thjesht historia ime, por edhe e shumë lojtarëve të tjerë. AxisStars është një lloj libri virtual”.
Në këtë mënyrë, ai ka arritur të ndihmojë jo vetëm futbollistë, por edhe muzikantë dhe aktorë, duke pasur rezultate mjaft pozitive. “Çdo ditë më kërkojnë këshilla njerëz të ndryshëm. Për shembull, një agjent më telefonoi duke më thënë se kishte një futbollist të ri francez që dëshironte të luante në Angli dhe më pyeti për ndihmë në krijimin e një programi trajnimi të personalizuar. E lidha me njerëzit me të cilët punoj. Një lojtar i tillë mund të bashkohet me AxisStars dhe të gjejë një trajner personal në zonën e tij”.
Si funksionon kompania e Saha?
Duke shpjeguar më në detaje si operon platforma e tij, Saha thekson se qëllimi kryesor është vendosja e atletit në qendër të projektit: “Nëse një kompani dëshiron të bëjë një marrëveshje me një lojtar, zakonisht duhet të kalojë përmes agjentit të tij. Agjenti mund të thotë: ‘Dua 5 mijë paund komision për këtë marrëveshje. Çfarëdo që t’i japësh lojtarit tim, nuk do të lëviz nga vendi pa i marrë këto para’. Nëse kompania refuzon, lojtari nuk do ta marrë kurrë vesh për këtë mundësi. Kjo është diçka që duhet të kontrollohet nga vetë sportisti dhe jo nga ndërmjetësit”.
Suksesi i Saha lidhet edhe me sfidat që ka hasur gjatë karrierës së tij, veçanërisht dëmtimet e shumta që e kanë penguar të ketë një rrugëtim të qetë, ndryshe nga disa kolegë të tij të famshëm. “Nëse do të kisha pasur fatin e Cristiano Ronaldos, që nuk është dëmtuar kurrë dhe ka marrë kontrata gjithnjë e më të mira falë suksesit të tij, ndoshta nuk do ta kisha menduar kurrë këtë projekt. Por në fatkeqësinë time, isha me fat. Sepse tani e shoh panoramën e përgjithshme dhe kam mundësinë të ndihmoj me të vërtetë. Dhe e pranoj që ndihem më i emocionuar si sipërmarrës sesa kur isha në fushë”.
Një sfidë më intriguese se futbolli
Saha e sheh këtë projekt si një sfidë më të madhe se karriera e tij si futbollist: “Kur je në fushë, po, ndien adrenalinë. Por a kam krijuar diçka që do të zgjasë? Nuk jam i sigurt. Ndërsa kjo platformë është diçka që besoj se do të mbetet për një kohë të gjatë, ndoshta edhe për fëmijët e mi. Shpresoj që lojtarët të kuptojnë se kanë mundësinë të ndihmojnë ata që janë pranë tyre”.