“Goxha zonjë, dekane, njeri i respektuar”, kështu e prezantoi Edi Rama të enjten në mëngjes për ndjekësit e tij të Facebook, përzgjedhjen e tij surprizë në qarkun e Vlorës.
Nuk kaluan disa orë dhe Zamira Sina, aktualisht dekane e fakultetit ekonomik në Vlorë e shpalosi në mënyrë xhenuine arsyen se pse i kishte merituar lavdërimet e udhëheqësit dhe vendin e pëllumbave që ka siguruar në listën e mbyllur po prej tij. “Edi Rama shikon më larg se ne të gjithë”, tha ajo në një intervistë në Top Story, duke kapur menjëherë një vend kryesor në Hit Paraden e grave që dinë të lëpijnë shkëlqyeshëm, si ato që e kanë quajtur atë “brand ndërkombëtar”, “artist që çudit Parisin” apo Skëndërbe.
Në emisionin e Grida Dumës, znj.Sina kishte zënë një vend të veçantë pikërisht sepse kryeministri e përzgjodhi atë mes shumë kandidatëve të tjerë për deputetë. Ai tha në një intervistë live në rrjetet e veta sociale: “Kemi dekanen e Fakultetit Ekonomik të Vlorës në listën e mbyllur. Ka qenë në çadër zonja, pedagoge, ka qenë këtu poshtë, kërkonte rritje të pagave për pedagogët dhe sot është në listën e mbyllur. Dje, deri dje, kur ishte se harrova. O Lul, kur ka qenë more vëlla? 2017 më duket ka qenë. Në 2017 ishte këtu sepse mendonte që unë duhet të ikja. Tani mendon që unë duhet të rri”.
Në fakt, sipas verifikimeve që Lapsi.al ka bërë, Zamira Sina ka qenë vërtet në çadër. Tashmë nga periudha e saj blu në rrjet qarkullon edhe një foto (e madhja lart). Po ashtu në faqen e Facebook, të demokratëve atlantikë, që kanë vjedhur njësoj si dikur vulën arkivin e vjetër të PD-së gjendet edhe data e fjalimit në çadrën e Bashës të pedagoges nga Vlora. E rregulluar si për një dalje që atëhere transmetohej live në shumë televizione, me flokë më pak të verdha sesa sot të hedhura pas kokës dhe me fustan gurkali, ajo është shfaqur në çadër në 31 mars 2017. Për të kuptuar se ç’do të thoshte ky akt duhet të kthejmë pak filmin pas. PD-ja kishte nisur një lëvizje radikale në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Ajo kishte arritur jo pak qëllime. Rama kishte larguar nga kabineti, njeriun e tij më të afërt, Saimir Tahirin, bashkë me tre ministra të tjerë: Ilir Beqaj, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi. Po këto i dukeshin të pamjaftueshme opozitës që kërkonte tani kokën e tij: “Ose zgjedhje pa Ramën kryeministër, ose zgjedhje nuk do të ketë” bërtiste atëherë Lulzim Basha.
Pra, të pranoje të shkoje në çadër, në fund të marsit 2017, nuk duhet të ishe thjeshtë një punonjëse e arsimit që kërkoje paga më të larta dhe më shumë fonde për kërkimin shkencor. Duhet të ishe një militant politik radikal, që konsideroje se kryeministri kishte aq mëkate mbi shpinë, sa ai duhej të largohej nga karrigja pa zgjedhje, se ai ishte arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë dhe njeriu që e kishte mbushur parlamentin dhe bashkitë me kriminelë. Ky ishte profili i një çadristi këtu e tetë vite më parë dhe një ndër to ishte edhe kandidatja e sotme për deputete e PS-së, Zamira.
Në intervistën e parë që dha në Top Story me kostumin e konvertuar, ajo u mundua ta reduktojë këtë përmasë. Të shkuarën e saj blu e paraqiti thjesht si një aktivizëm për çështjet arsimore: “Mandatet e Ramës konkretizuan shumë gjëra, por edhe për sa i përket investimeve që qeveria e tij bëri për Vlorën. Ndoshta në atë periudhë, arsimit të lartë ende nuk i kishte ardhur radha, flas në anën financiare” belbëzoi ajo duke u bërë një nga katër opozitarët që e kishin ndërruar fletën së bashkur me Endrit Brahimllarin e LSI-së, Alban Zenelin e PD-së dhe Vasil Sterjovskin e Aleancës së Maqedonasve.
Por më shumë sesa ndryshimi i mendimeve, apo verbëria që e pengonte të shihte larg në mënyrë të pandërgjegjshme, dekania që paguhet për të mëkuar përveçse me shkencë edhe me moral të lartë studentët e saj, e shprehu në mënyrë të pandërgjegjshme arsyen se pse gjendej në listë fituese. Ajo foli pa komplekse për largpamësinë e Ramës në raport me të tjerët. Dhe ashtu sikurse tashmë është provuar servilizmi është gjithnjë një kartë fituese në Rilindje. Le të mos harrojmë se një vend tjetër të sigurtë në listën e Tiranës zuri një rishtare si Ilva Gjuzi që i njihte si të vetmin difekt Edi Ramës që mohon veten dhe punon shumë për shqiptarët duke u vetësakrifikuar. Edhe Zamira Sina i tha Gridës, pa iu dridhur qerpiku: “Nuk më vjen keq ta pranoj publikisht se Edi Rama shihte më larg se në atë çadër”.
Dhe nuk është çudi që falë këtij mentaliteti, ajo të jetë shpërblyer, ashtu siç i ka ndodhur jo rrallë herë femrave të tjera furçaxhie para saj./ Lapsi.al