Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani e ka quajtur vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTokut si një përpjekje për të shtypur lirinë e shprehjes. Duke folur për mediat nga protesta, Dogjani tha se ky është një hap tjetër drejt diktaturës, ku qytetarët po detyrohen të konsumojnë vetëm lajmet e orientuara nga qeveria. Dogjani e ka mohuar pretendimin e qeverisë se TikToku është një rrezik për fëmijët, duke e cilësuar atë si një justifikim të pabazuar.
“Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTokut është një vendim për t’i mbyllur gojën qytetarëve shqiptar, opozitës, të rinjve, sepse qeveria ka frikë nga fjala e lirë. Ne jemi kthyer gati në një diktaturë dhe po na detyrojnë njerëzit që të shohin lajmet vetëm para televizorit, që t’i orientojë qeveria sipas informacioneve që jep. Ndërsa TikToku është një dritare, është një aplikacion ku njerëzit mund të flasin lirisht dhe të denoncojnë korrupsionin e kësaj qeverie, por është edhe një mjet për biznesin, për të reklamuar biznesin apo për familjet në nevojë që shpesh herë shteti nuk u ka dhënë ndihma dhe janë ndihmuar nga njerëz nëpërmjet TikTokut. Por qeveria, duke pasur frikë sidomos tani në këtë fushatë zgjedhore se nuk i kontrollon dot njerëzit, bën arsyetimin që, gjoja, TikToku qenka rreziku i fëmijëve tanë. Jo, nuk është e vërtetë,” tha Dogjani.
The post Protesta për mbylljen e TikTok, Dogjani: Qeveria ka frikë nga fjala e lirë appeared first on GIJOTINA.