Opozita ka planifikuar një protestë për sot përpara Kryeministrisë, në lidhje me përdorimin e TikTok-ut, ku policia ka njoftuar se disa rrugë do të bllokohen.
Tubimi do të zhvillohet nga ora 19:00 deri në 21:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është njoftuar nga përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për zhvillimin e një tubimi, më datë 15.03.2035, nga ora 19:00 deri në orën 21:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, më datë 15.03.2025, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.