TIRANË – Partia Demokratike do të zhvillojë pasditen e kësaj të shtune protestën e thirrur për mbylljen e aplikacionit TikTok. Protesta pritet të nisë në orën 19:00 para kryeministrisë ndërsa mësohet se për mbarëvajtjen e protestës do të jenë në terren 800 forca policie.
Bëhet me dije se të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me kundragaz, ndërsa do të ketë gjithashtu edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë incidente të mundshme.
Ndërkohë dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, ndërsa policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ edhe kamera me rezolucion të lartë.
Rrugët që do të bllokohen
Policia njoftoi edhe masat të cilat ka ndërmarrë për mbarëvatjen e protestës. Në zbatim masave të ndërmarra me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thotë se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Gjithashtu në njoftim shtohet se në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Protesta e thirrur nga PD, kundërshton mbylljen e aplikacionit Tik-Tok. Partia Demokratike dhe kryetari i kësaj force politike Sali Berisha ka deklaruar se mbyllja e TikTok është në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe se mbyllja e rrjetit social u bë pak përpara zgjedhjeve. Ai ka deklaruar se më 15 mars demokratët do të protestojnë kundër censurës, ndërsa shton se kryeministri Edi Rama nuk ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi si “Tik Tok”.