Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një vendim të pazakontë, duke dëbuar ambasadorin e Afrikës së Jugut, Ebrahim Rasool, nga Uashingtoni. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar Rasool se është një politikan që urren Amerikën dhe se marrëdhëniet me të janë të papranueshme.
Në një postim në X, Rubio ka thënë se ambasadori i Afrikës së Jugut “nuk është më i mirëpritur” në SHBA dhe është shpallur non grata.
Zyra për presidentin e Afrikës së Jugut ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si “për të ardhur keq”. Ajo ka shtuar se vendi mbetet i përkushtuar për të zhvilluar një marrëdhënie të dobishme dhe të ndërsjellë me SHBA-në, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Afrikës së Jugut janë përballur me sfida të vazhdueshme, veçanërisht pas politikave të Trump dhe kritikave të vazhdueshme që i janë drejtuar Afrikës së Jugut për pozitat e saj në disa çështje ndërkombëtare.
Dëbimi i ambasadorit Rasool është një tjetër moment i tensioneve të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare të SHBA-së.