Nesër zgjidhet kryepeshkopi i ri, Kishën Ortodokse do e drejtojë një klerik shqiptar |

3 Min Read

Të dielën, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të ketë kryepeshkopin e ri.

Sinodi i Shenjtë i Kishës ka lajmëruar se zgjedhja do të bëhet të Dielën e Dytë të Kreshmës, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore.

Është lajmëruar që procesi do të nisë që në mëngjes me meshën e së dielës, ku do të jenë qytetarë, por edhe drejtues të gjithë mitropolive ortodokse të Shqipërisë dhe, sigurisht, të ftuar.

Ata do të ndjekin meshën e Liturgjisë Hyjnore. Ndërsa anëtarët e Sinodit janë të gjithë në meshë, ku do të betohen në tryezën e shenjtë për përgjegjësinë që kanë për të votuar më të denjin dhe më të përgjegjshmin mes tyre.

Pas meshës fillon procesi i zgjedhjes nga ana e Sinodit dhe, pasi mbaron votimi, shpallet emri i Kryepeshkopit të ri.

Ai do të pritet me ceremoni të veçantë dhe do të hyjë në Kishën Katedrale në Tiranë, ndërsa kambanat e saj dhe kambanat e të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri do të bien në nder të këtij procesi.

Më pas, ceremonia parashikon që Kryepeshkopi i ri të mbajë edhe mesazhin e tij para besimtarëve. Kryepeshkopi i ri zgjidhet kështu për të pasuar në detyrën më të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopin Anastas, i cili ndërroi jetë.

Anastasi u emërua Kryepeshkop i Shqipërisë nga Patriarkana e Stambollit menjëherë sapo komunizmi u rrëzua, dhe detyra e tij ishte ringritja e një kishe të shkatërruar nga ateizmi.

Pas vdekjes së Anastasit, u lexua edhe testamenti dhe një nga dëshirat e tij ishte zgjedhja në krye të Kishës të një kleriku shqiptar.

Pjesa dërmuese e klerikëve janë shqiptarë. Në Mitropolinë e Korçës, Hirësia e tij Joani; në Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e tij Asti; në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tij Nikolla; në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e tij; në Mitropolinë e Krujës, Hirësia e tij Anastasi.

Këta janë shtetas shqiptarë dhe, bashkë me klerikët e Amantias dhe Gjirokastrës, që janë shtetas grekë, përbëjnë Sinodin që do të votojë për të zgjedhur një prej tyre në krye të Kishës./Tch

Share This Article
Leave a Comment