Mbyllja e TikTok-ut/ PD proteston sot para Kryeministrisë kundër censurës |

4 Min Read

Partia Demokratike ka thirrur ditën e sotme një protestë për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për mbylljen e platformës TikTok, me pretendimet se ajo nxit dhunë dhe agresivitet tek të miturit.

Protesta pritet të mbahet në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë, ku protesta do të bazohet kryesisht me të rinj nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike.

Leja e kërkuar në Policinë e Tiranës nga organizatorët e tubimit është dy orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.

Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.

Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre.

Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë. Si në çdo protestë, të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.

Opozita e ka konsideruar vendimin e Edi Ramës për mbylljen e TikTok si një akt censure që merret vetëm 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe sipas demokratëve, qëllimi i mazhorancës është që të censurojë kundërshtarët politik për zgjedhje.

Ditën e djeshme, në konferencën me gazetarët, Sali Berisha e konsideroi mbylljen e TikTok si një goditje të rëndë për fjalën dhe mendimin e lirë, teksa u bëri thirrje dhe të rinjëve që të shkojnë në protestë.

“Thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë. Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera. Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit. Një akt i ngjashëm shumë me firmën që Kristaq Rama, babai biologjik i Edi Ramës, vendosi më 10 gusht të vitit 1988 për të varur në litar poetin disident Havzi Nela. Nesër (sot) është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër censurës. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët. Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë. Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit. Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet.” – tha Berisha.

Gjithashtu, lideri demokrat konfirmoi edhe prezencën e tij në protestë.

“Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë. Ata janë frymëzimi, unë aty do të jem ti mbështes, por fjalën e kanë ata, ata do flasin se janë anti censurë. Protesta është tek Kryeministria, para ndërtesës së tiranit, të habitullahut të Tiranës.” – tha Berisha.

Share This Article
Leave a Comment