Shumica e Kolegjit rrëzoi gjetjet për cënim të besimit te drejtësia, por la në fuqi shkarkimin e prokurorit të Durrësit për probleme në kriterin e pasurisë. Një gjyqtare në pakicë i gjeti bindëse shpjegimet e Troplinit, duke çmuar se ky subjekt rivlerësimi arrinte nivel të besueshëm dhe duhej të ishte konfirmuar në detyrë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u nda në vlerësimin e prokurorit të Durrësit, Ndriçim Troplini. Shumica e trupit gjykues e përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz dhe anëtaret Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Ina Rama vlerësuan se duhej lënë në fuqi shkarkimi i Troplinit për probleme në kriterin e pasurisë. Ndërsa mangësitë e konstatuara në aspektin profesional, u vlerësuan të pamjaftueshme për të arritur konkluzionin se subjekti gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, ashtu si kishte çmuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK në vendimarrjen e tij të 12 korrikut 2023 kur e largoi nga detyra.
Relatorja e çështjes, Mimoza Tasi shpreh qëndrim ndryshe për pasurinë. Megjithëse ajo i bashkohet konkluzionit përfundimtar për mungesën e elementëve për të konkluduar se subjekti gjendet në kushtet e cenimit të besimit të publikut tek drejtësia, ajo ndan qëndrime të ndryshme për gjetjet në dy çështje të hetuara nga Troplini, duke mos i gjetur të drejta konstatimet e shumicës.
Ndriçim Troplini përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2008 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit.
Vlerësimet për pasurinë
Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti ka qenë në pamundësi financiare në shumën 531 mijë lekë për blerjen e një automjeti të llojit Mercedez-Benz në vitin 2005 për çmimin 800 mijë lekë.
Troplini e konsideron të gabuar analizën financiare të kryer nga KPK për blerjen e këtij automjeti, duke pretenduar se nuk duhej të ishin marrë në konsideratë vetëm të ardhurat për periudhën janar-maj 2005, por në analizë duhej të ishin përfshirë dhe ato prej muajit tetor të vitit 2001, kur ka filluar të trajtohet financiarisht nga Shkolla e Magjistraturës, deri në muajin maj 2005 kur është blerë automjeti. Ai ka vërejtur se gabimi në mosdeklarimin e kursimeve është kryer në plotësimin e deklaratës së parë të pasurisë. Troplini ka theksuar se nëse do të zbriten të gjitha llojet e shpenzimeve që mund të ketë kryer, rezulton se ka pasur mundësi të kursente të ardhura të ligjshme nga puna dhe paga në Shkollën e Magjistraturës, në shumën totale 1.8 milionë lekë, që e tejkalon çmimin e blerjes së automjetit.
Por, shumica e Kolegjit vlerëson se nuk mund të pranohet ekzistenca e likuiditeteve, të cilat nuk janë deklaruar në deklaratat periodike prej subjektit, duke u konsideruar si e vemtja formë që mund të provonte ekzistencën e tyre. Për rrjedhojë, edhe nga analiza e kryer në Kolegj ka rezultuar i njëjti bilanc negativ në shumën 531 mijë lekë për blerjen e automjetit në vitin 2005 për çmimin 800 mijë lekë.
Relatorja Tasi në pakicë arsyeton ndryshe. Sipas saj, në vlerësim duhej të mbahej në konsideratë edhe fakti se kjo ka qenë pasuria e parë e luajtshme e blerë nga ana e subjektit dhe nëse do të zbriteshin të gjitha llojet e shpenzimeve që mund të ketë kryer, do të rezultonte se Troplini ka pasur mundësi të kursente të ardhura të ligjshme që tejkalonin blerjen e mjetit.
Megjithëse subjekti ka deklaruar shitjen kësaj makine në vitin 2012, Komisioni ka konkluduar se ka rezultuar i regjistruar gjithmonë në emër të prokurorit Ndriçim Troplini dhe se është çregjistruar prej tij në dhjetor të 2017-ës. KPK ka ngritur dyshime se të gjitha veprimet e kryera për tjetërsimin e automjetit dukej se kanë qenë fiktive, pasi nuk ka rezultuar e provuar në ndonjë mënyrë se automjeti është përdorur nga blerësi apo se shuma është përfituar nga subjekti.
Troplini ka pretenduar se ka mundur të gjejë blerësin e makinës, i cili i ka shpjeguar se ka kryer aksident, prej nga automjeti ka dalë jashtë përdorimit dhe prandaj nuk e ka kryer regjistrimin e kontratës së shitblerjes.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se veprimet e subjektit dhe deklarimet e tij për mënyrën e blerjes dhe shitjes së automjetit, janë të paqarta dhe kontradiktore. Pavarësisht se detyrimi i regjistrimit në Drejtoritë Rajonale të Transportit Rrugor ka qenë i blerësit, fakti që automjeti ka rezultuar i regjistruar gjithmonë në emër të Troplinit dhe është çregjistruar në 2017-ën, vlerësohet se tregon se kontratat e shitblerjeve të kësaj pasurie të luajtshme nuk pasqyrojnë realitetin e veprimeve të kryera në atë periudhë.
“Trupi gjykues, duke ndarë të njëjtin qëndrim me Komisionin për deklarime të pasakta dhe kontradiktore në përgjigje të pretendimit të subjektit për vlerën provuese të kontratës, vëren se pavarësisht se në kuptim të ligjit kontratat përbëjnë provë të plotë, të dhënat e tyre duhen parë dhe vlerësuar në harmoni me rrethanat faktike, që në rastin konkret tregojnë për një qasje të ndryshme të subjektit në raport me të dhënat e pasqyruara në aktin formal të kontratës”, konstaton shumica e Kolegjit dhe e gjen të drejt qëndrimin e KPK për mospërfshirjen në analizën financiare të vitit 2012, shumën prej 450 mijë lekësh të pretenduar si të përfituar nga shitja e makinës.
Komisioni ka gjetur pamundësi në shumën 918 mijë lekë edhe për blerjen e një automjeti të llojit Audi për 6000 euro dhe shpenzime doganore 211 mijë lekë. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se makina është blerë në janar të 2012-ës nga shtetasi D.L. në Gjermani për vlerën 6000 euro dhe ka hyrë prej Portit të Durrësit, ku shpenzimet doganore janë përllogaritur në masën 211 mijë lekë mbi vlerën statistikore për automjetet e kësaj kategorie.
Gjatë hetimit, subjekti ka shpjeguar se një i afërmi i tij kishte sjellë këtë makinë dhe se në bisedë e sipër kishin shprehur pëlqimin për të ndërruar automjetet. Ai ka argumentuar se kontrata e shkëmbimit nuk aplikohej dhe duhet të kryenin shitjen e ndërsjellë. Sipas Troplinit, në këto kushte kanë kryer shitjen e mjeteve, por pas disa muajsh, D.L. ka nxjerrë pretendime në lidhje me një defekt në motor dhe kanë kryer revokimin e kontratës së shitjes në qershor të 2012-ës. Po atë muaj rezulton dhe kontrata tjetër e shitjes e automjetit të llojit Mercedez Benz tek një person tjetër, për shumën 450 mijë lekë.
Troplini e konsideron të pabazuar konstatimin e Komisionit për fiktivitet në përpilimin e kontratave të shitjes. Duke sjellë në vëmendje jurisprudencën e Kolegjit, subjekti ka argumentuar se kontratat noteriale janë akte me fuqi të plotë provuese dhe vlera e shitjes së sendeve pasqyruar në akt noterial përbën vlerën reale të tyre.
Shumica konstaton se subjekti nuk e ka deklaruar burimin e krijimit të automjetit të llojit Audi dhe për rrjedhojë e gjen të drejtë konkluzionin e KPK se ai gjendet në kushtet e deklarimit të paplotë e të pasaktë. Po ashtu, Kolegji ka konfirmuar edhe balancën negative në shumën 918 mijë lekë, duke konsideruar shpenzimet për konston totale të makinës, përfshi dhe ato për zhdoganimin.
Tase në pakicë e cilëson të padrejtë moskonsiderimin e shumës 450 mijë lekë nga shitja e automjetit të mëparshëm, duke kundërshtuar bilancin negativ të shumicës. Pakica vlerëson ndryshe edhe për konstatimin për fiktivitet të kontratës së shitblerjeve të automjeteve dhe revokimin, duke argumentuar se kontratat provojnë se veprimet e Troplinit nuk kanë qenë fiktive, pasi janë veprime juridike zinxhir.
“Duke qenë se nga aktet e administruara gjatë hetimit administrativ rezulton se kontrata e shitjes është në formën e kërkuar nga ligji dhe nuk është provuar fiktiviteti i saj, vlerësoj se dyshimet e ngritura nga Komisioni dhe të konfirmuara nga shumica në vendimin e saj, mbi fiktivitetin e kontratave të shitblerjes së automjeteve dhe mospërfshirjen në analizën financiare të vitit 2012 të shumës së përfituar nga shitja e automjetit tip ‘Mercedes-Benz’, në vlerën prej 450.000 lekësh, nuk janë të bazuara”, arsyeton Tase dhe shton se pamundësia për blerjen e Audi-t është në shumën 412 mijë lekë. Ajo shprehet se në analizën financiare të përgjithsjme për periudhën e rivlerësimit 2003-2016, Troplini rezulton me bilanc pozitiv në vlerën prej 96 mijë lekësh për vitin 2012, kur janë kryer këto transaksione.
Komisioni ka konkluduar se Troplini është gjendur në kushtet e pamundësisë financiare në shumën 892 mijë lekë për krijimin e një gjendje cash në shumën 1 milion lekë, të përdorur për mbylljen para kohe të një kredie në vitin 2011. Kjo, pasi nuk ka deklaruar gjendje cash në fund të vitit.
Subjekti ka kundërshtuar duke pretenduar se si burim për shlyerjen e kredisë është gjendja cash e krijuar në banesë në vitin 2010, me burim fondet e tërhequra nga kredia bankare në muajin nëntor 2010 dhe pjesa e mbetur nga të ardhurat prej pagave. Sipas Troplinit, një shumë e tërhequr nga banka cash në muajin nëntor 2010, me qëllim kryerjen e një operacioni mjekësor, është rikthyer përsëri në bankë cash në muajin shkurt 2011.
Kolegji nuk i gjen bindëse pretendimet e subjektit, duke konstatuar se ai nuk ka paraqitur prova për këtë pretendim. Sipas shumicës, Troplini nuk ka deklaruar shtim të gjendjes cash në fund të vitit 2010 dhe si rrjedhojë, as pakësim të kësaj gjendjeje në momentin kur është shlyer kredia.
Duke ju referuar jurisprudencës së KPA mbi detyrimin e subjekteve për të deklaruar gjendjen cash deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare, vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në lekë ose në valutë të huaj, edhe shumica e Kolegjit ashtu si Komisioni, vlerëson të mos i konsiderojë si burim për shlyerjen e kredisë në muajin shkurt të vitit 2011 të ardhurat e pretenduara prej subjektit të vitit të mëparshëm, si të mbajtura cash dhe të ruajtura në banesë. Po ashtu, është konfirmuar dhe bilanci negativ i KPK, në shumën 892 mijë lekë.
Tase në pakicë vlerëson se, edhe pse subjekti ndodhet në kushtet e pasaktësisë në deklarim për shkak se nuk e ka deklaruar si gjendje cash në banesë shumën e kredisë pas tërheqjes nga banka, në muajin nëntor 2010, kjo pasaktësi nuk duhet të konsiderohet se shoqërohet me mungesë burimi të ligjshëm. Sipas saj, as në Komision dhe as në Kolegj nuk u arrit të provohet që këto para janë shpenzuar nga subjekti. Tase e çmon si të besueshëm pretendimin e subjektit se kredia e mbyllur para kohe në shkurt të 2011-ës ka si burim të njëjtën shumë të tërhequr nga disbursimi i kredisë së marrë.
Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka shënuar në deklaratën veting përdorimin e një apartamenti në Durrës në pronësi të nënës së tij, duke u konsideruar si deklarim i pamjaftueshëm. Sipas KPK, rezulton balancë negative në shumën 1.7 milionë për krijimin e kësaj prone, që çmohet prej KPK si një pasuri e përbashkët edhe me subjektin e rivlerësimit – konkluzion i arritur nga deklarimi i vetë prokurorit Troplini gjatë procesit të vetingut, se ka kontribuar për burimin e krijimit.
Subjekti ka kundërshtuar duke sqaruar se banesa në fjalë përbëhet nga dy apartamente, një prej të cilëve blerë në vitin 2012 për çmimin 2.5 milionë lekë. Sipas Troplinit, të dy apartamentet janë blerë për vlerën totale 4 milionë e 127 mijë lekë. Ai ka theksuar se duke deklaruar adresën e banimit në deklaratën veting, është shuar çdo dyshim që mund të ketë Komisioni se mosdeklarimi formal i përdorimit të kësaj pasurie është kryer me qëllim fshehjen.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se deklarimi i apartamentit si adresë banimi në vite, i shërben argumentit se nuk gjenden elemente të fshehjes së pasurisë në përdorim, pasi i është dhënë mundësi ILDKPKI-së dhe Komisionit të identifikojnë marrëdhënien e subjektit me këtë pasuri dhe të hetojnë në lidhje me të.
Megjithatë, çmohet se kjo pronë e paluajtshme në përdorim duhej të ishte deklaruar në deklaratën veting.
Nga analiza finaciare ka rezultuar se familja e subjektit ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit të parë në vitin 2010 për shumën 1 milion e 657 mijë lekë, ndërsa ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 1.7 milionë lekë për blerjen e apartamentit të dytë në 2012-ën.
Tase në pakicë vlerëson se nëse do ishin përfshirë në analizë pretendimet e subjektit lidhur me pasuritë e tjera, burimet financiare të apartamentit të blerë në vitin 2012 të pretenduara nga subjekti, përfshi dhe të ardhurat nga paga e tij si prokuror të deklaruara gjatë hetimit administrativ, do të sillnin një bilanc negativ të papërfillshëm, në shumën 11 mijë lekë.
Kolegji ka konfirmuar balancat negative të konstatuara nga Komisioni për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve në vite, në shumën totale rreth 4 milionë lekë, duke arritur në përfundimin se Troplini gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në këtë kriter e duhej lënë në fuqi shkarkimi i tij.
Tase në pakicë çmon se bilance negative rezultojnë vetëm në krijimin e dy pasurive në masën totale prej 423 mijë lekësh, ndërsa nga analiza e përgjishme del bilanc pozitiv. Ajo konkludon se Troplini arrin nivel të besueshëm e duhej konfirmuar./BIRN