Broja, Brruti e zëvendësuesi i Mitajt! Sylvinho tregon zgjedhjet: “Kam një ëndërr”

5 Min Read

“Mario Mitaj ka problem në puplaxhi dhe është vendosur të operohet. Keidi Bare ka dëmtim në pulpë dhe nuk është i disponueshëm për momentin, ka pasur komunikim mes doktorit tonë dhe Saragozës. Me Elseid Hysaj kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për tu rikthyer pas pauzës së Kombëtares për tu trajnuar me ekipin e tij. Daku ka të njëjtin problem pra në pupalxhi, do të ketë mundësi të trajtohet për tu rikthyer shpejt me ne dhe skuadrën e tij”. Keqardhje, por edhe bindje në fjalët e teknikut Sylvinho në konferencën për shtyp, pas publikimit të listës së lojtarëve për dy ndeshjet e para kualifikuese të Botërorit 2026.

PËRSE BROJA E ISMAJLI, PA ASNJË MINUTË LOJË

Braziliani ka shpjeguar edhe prezencën në listë të dy lojtarëve që ende nuk kanë luajtur asnjë ndeshje zyrtare pas dëmtimit. Nëse Ismalji ka qenë në dispozicion të Empolit në ndeshjen e fundit, edhe pse pa luajtur, Broja me Everton nuk luan prej muajsh: “Ismajli ka një problem, por ishte i grumbulluar me skuadrën kështu që është i gatshëm ndërsa Broja është rikthyer pas një dëmtimi të gjatë. Ata janë në gjendje dhe do të bëjmë një vlerësim kur të vijnë. Do të kemi stërvitje të ndryshme se do jenë dy ndeshje të ndryshme, jemi vazhdimisht duke punuar dhe vizituar lojtarët, por na mungon fusha”.

LOJTARË TË SË ARDHMES

Brruti dhe Shehu janë dy risitë e teknikut Sylvinho, që i ka besuar kështu lojtarit të Malishevës dhe atij të Widzew Lodz. Jo një zgjedhje sa për të mbushur radhët, por me ide të qarta: “Sa i përket Brrutit, ai është një lojtar që ne e ndjekim, jemi pas një lojtari që luan me të majtën. Brruti është një lojtar me të majtën, që e kemi vlerësuar dhe meriton të vijë te ne dhe jam i bindur se mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Po është e vërtetë Juljan po bën mirë, e prisja një pyetje për të. Është lojtar që jep centimetra, luan mirë, ka grintë është lojtar me eksperiencë. Ka pasur një lloj procesi, ka këmbë teknike të mirë”.

PËRBALLJA ME ANGLINË

Sylvinho u ndal edhe në vështirësinë e kundërshtarit që do të jetë përballë në Wembley. Anglia është nga ato kombëtare që do të intimidonte cilëndo skuadër: “Sa i përket Anglisë, jam dakord është ndër më të fortat në botë, ka lojtarë shumë të fortë, tani ka një trajner shumë të madh, siç ishte edhe Southgate me dy finale europiane. Tani vjen një trajner tjetër i rëndësishëm, të pret një ekip më nivel të lartë. Ne duhet të punojmë shumë. Më shqetësojnë të dy ndeshjet, në aspektin e punës. Duhet të punojmë e përgatitim shumë mirë ndeshjet, se janë shumë të ndryshme, duhet të përgatitim lojtarët se janë shumë të ndryshëm në aspektin futbollistik”.

Lexo më tej: E bujshme, Broja në listë: Sylvinho prezanton kosovarin Brruti mes 26 emrave në listë

Në fund edhe një sqarim për ata që presin lojë ofensive dhe e kanë vënë në shënjestër teknikun Sylvinho bazuar mbi këtë fakt: “Unë dua të sulmoj Spanjën, por nuk më lejon. Një skuadër tjetër të lejon më shumë. Ky komepticion që shkojmë është shumë i vështirë, por është një ëndërr e bukur. Ne jemi këtu për të punuar kohën e mjaftueshme për të marrë pikët. Duhet fitojmë, të bëjmë ndeshje perfekte se rregulli është i ndryshëm, Vetëm një shkon direkt, është një grup i vështirë, por jo i pamundur se e nisin të gjithë nga zero”. “E keqja është që nuk kemi shumë kohë për të punuar, por patjetër kemi një plan B dhe C, por duhet ta shohim njëherë planin A, pasi kemi opsione, kemi rikthimin e Gjimshitit, por çdo gjë vlerësohet në ditët në vijim kur të vijnë të gjithë lojtarët”.

Share This Article
Leave a Comment