Krahas trafikut, rruga është bërë tejet e amortizuar dhe tashmë që po i afrohemi verës, dëmtimi sa vjen e shtohet, duke bërë një figurë të shëmtuar për turistët. Riparimi i fundit i saj është bërë mëse një vit më parë.
Ndërkohë, Taksa e Qarkullimit që vilet tek nafta po bëhet një burim i konsiderueshëm prurjesh për buxhetin e shtetit. Vitin e kaluar të ardhurat nga taksa e qarkullimit arritën 21,3 miliardë lekë me rritje 9 % nga viti 2023.
Të ardhurat më të larta erdhën kryesisht nga rritja e konsumit e karburanteve. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin vilet në masën 27 lekë për litër për benzinën dhe 27 lekë për litër për naftën.
Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të naftës të importuar apo të prodhuar në vend ( me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë).
Në vitin 2024 Ministria e Financave kishte programuar të vilte 23,3 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit, por janë arkëtuar 21.3 miliardë lekë, me një mosrealizim në vlerë 2 miliardë lekë.
Fondet e gjeneruara nga taksa e qarkullimit zënë një pjesë të konsiderueshme të fondeve buxhetore që qeveria akordon për rrugët.
Në vitin 2024 të ardhurat nga taksa e qarkullimit ishin 21.3 miliardë lekë, ndërsa financimi i brendshëm nga buxheti për programin e transportit rrugor ishte 42,2 miliardë lekë sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Taksa e qarkullimit financoi mbi 50% të fondeve të brendshme për investime në transportin rrugor.
Përgjatë dekadës të ardhurat nga taksa e qarkullimit ishin më të larta se financimet e brendshme buxhetore për transportin rrugor.
Taksa e qarkullimit ka për qëllim të grumbullojë të ardhura nga përdoruesit e transportit dhe taksa vilet gjatë blerjes së karburantit, për çdo litër të konsumuar dhe zakonisht ndihmon buxhetin të gjenerojë fonde që më pas mund të rialokohen për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria ka tarifat më të larta të pagesës në rrugë. Përveç kësaj Shqipëria futet në vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rang global.
Nëse çmimi i naftës do të ishte më i ulët buxheti nuk do të humbiste nga taksat, pasi një pjesë e bizneseve dhe qytetarëve që furnizohen aktualisht në pikat kufitare të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës do të konsumonin në Shqipëri duke rritur qarkullimin e për rrjedhojë edhe të ardhurat buxhetore.
/Monitor.al/