Presidenti Donald Trump ka bërë kërcënime të përsëritura për ta bërë fqinjin në veri, Kanadanë, shtetin e 51-të të SHBA-ve.
Ndërkohë Mark Carney është betuar zyrtarisht si kryeministri i ri i Kanadasë, pas dorëheqjes së paraardhësit Justin Trudeau.
Sipas mediave të huaja, Carney, një ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, do të përpiqet të drejtojë vendin e tij përmes një lufte tregtare të sjellë nga Donald Trump.
Duke folur në një konferencë shtypi pas ceremonisë së betimit në Otavë, Carney tha se deklaratat e Trump ishin “çmenduri” dhe Kanadaja “nuk do të jetë kurrë pjesë e SHBA”.
Presidenti amerikan ka vendosur tarifa 25% për çelikun dhe aluminin kanadez dhe po kërcënon me tarifa gjithëpërfshirëse për të gjitha produktet kanadeze nga 2 prilli.
Carney ka thënë tashmë se është gati të takojë Trump nëse ai tregon “respekt për sovranitetin kanadez” dhe është i gatshëm të marrë “një qasje të përbashkët, një qasje shumë më gjithëpërfshirëse për tregtinë”.
Kryeministri tha gjithashtu se do të mbajë në fuqi tarifat hakmarrëse për mallrat amerikane derisa SHBA t’i tregojë Kanadasë njëfarë respekti, shkruan A2 CNN.
Kanadaja, e cila është furnizuesi më i madh i huaj i çelikut dhe aluminit në SHBA, këtë javë njoftoi tarifa hakmarrëse prej 25% për këto metale së bashku me kompjuter, pajisje sportive dhe produkte të tjera me vlerë 20 miliardë dollarë në total.
Kanadaja tashmë ka vendosur tarifa më 4 mars me vlerë të njëjtë për mallrat amerikane në përgjigje të tarifave më të gjera nga Trump.
Carney tha gjithashtu se ai respekton atë që Trump kërkon të arrijë dhe shpreson të ketë një telefonatë me presidentin.