Në konferencën e së premtes me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi skandalet në projektet infrastrukturore. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë qenë vite të bllokimit të zhvillimit të infrastrukturës. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë vjedhur të paktën 11 miliardë euro nga një total prej 12 miliardë eurosh të dedikuara për projektet infrastrukturore. Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si përgjegjësen kryesore për këto vjedhje të fondeve publike. “Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës premtoi gjithashtu se, nën drejtimin e Partisë Demokratike, Unaza e Shqipërisë do të jetë një tjetër projekt madhor infrastrukturor që do të urbanizojë periferinë dhe do të lidhë çdo qendër komune me akset kombëtare brenda 20 minutash.
Berisha kritikoi gjithashtu rrugën e Arbrit, duke thënë se ajo nuk plotëson standardet e sigurisë dhe se tuneli është ndërtuar në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Sipas Berishës, tuneli është ndërtuar duke shkelur kushtet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze, edhe pse zona është problematike. Berisha theksoi faktin se, nën qeverisjen e Edi Ramës, vetëm 27 km të rrugës së Arbrit kanë kushtuar 450 milionë euro.
Interesimit të gazetarëve për heqjen e disa emrave nga lista e PD për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit, me argumentin e mendimit ndryshe brenda partisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dha garanci se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Në konferencën e së premtes në selinë blu me median, Berisha tha se jo vetëm që mbështet diversitetin, por edhe e pranon atë.
Kreu i Partisë Demokratike tha se Edi Rama e lëshoi Veliajn, pasi ky i fundit bëri gabimin fatal duke u paraqitur si zëvendësi i tij. “I futi dhe ato çimkat me Uluziun, ja nxorrë regjistrimet ku i thotë ndër të tjera, Ajolës, shko e thuaji Ramës se, Belinda i ka paguar Olsit 2 mln euro në Greqi. Dhe ajo shkon i thotë, ajo nuk e dinte se çdo operacion aty drejtohej nga Rama”, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.
Teksa prej së enjtes së 13 shkurtit, të rinjtë dhe përdoruesit e platformës TikTok nuk kanë mundur më të futen në rrjetin social, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën që është parashikuar të zhvillohet në orën 19:00 të shtunën në Tiranë. “Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë”, u shpreh Berisha pas interesimit të gazetarëve nëse do të ishte pjesëmarrës.