Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Edith Harxhi, komentoi zhvillimet e fundit në Serbi dhe ndikimin e tyre në politikën e Ballkanit. Sipas saj, protesta në Serbi ka marrë karakter nacionalist, ndërsa është gjithashtu pasqyrim i humbjes së besimit të serbëve tek Bashkimi Europian.
Ajo përmendi diskutimet e bëra në forumet ballkanike, ku analistët kanë tërhequr paralelizma mes Aleksandër Vuçiçit dhe Edi Ramës.
Sipas tyre, një rënie e Vuçiçit do të ndikonte direkt edhe në pozitat e Ramës, për shkak të lidhjeve të ngushta mes të dyve. Harxhi vazhdoi më tej duke përmendur se edhe Vuçiçi e pranon se Rama është i varur nga ai.
“Protesta në Serbi duket që është një protestë nacionaliste, por nga ana tjetër edhe serbët kanë humbur besimin tek BE, gjithashtu.
Kanë humbur besimin si ata dhe shumë të tjerë në Ballkan për arsye se BE vazhdon akoma dhe përkëdhel autokratët e Ballkanit.
Madje dëgjova edhe histori të tjera që Alabarin në Shqipëri e ka sjellë pikërisht Vuçiçi që e ka prezantuar Ramën në Emirate para disa vitesh me të. Pra, dhe Vuçiçi e pranon nga njëra anë që Edi Rama është i varur prej tij”, u shpreh ajo.