Kancelari i ardhshëm konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka arritur një marrëveshje me të Gjelbrit (parti) për një plan masiv shpenzimesh për të çliruar qindra miliarda euro për mbrojtjen dhe infrastrukturën.
“Gjermania është rikthyer,” tha Merz për gazetarët në Berlin të premten. “Gjermania po jep kontributin e saj të madh për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në Evropë.”
Marrëveshja me të Gjelbrit hap rrugën për një votim që do të përjashtojë në mënyrë efektive shpenzimet e mbrojtjes nga kufizimet e rrepta të frenës së borxhit në kushtetutën e vendit dhe do të krijojë një fond special prej 500 miliardë eurosh për të financuar projekte infrastrukturore jashtë shpenzimeve normale buxhetore.
Marrëveshja e re mund të sjellë gjithashtu përfitime të mëdha për Ukrainën. Sipas planit, shpenzimet për mbrojtjen që tejkalojnë 1 përqind të prodhimit të brendshëm bruto do të përjashtohen nga kufizimet e frenës së borxhit, e cila kufizon në mënyrë drastike deficitin buxhetor strukturor. Por, sipas draftit më të fundit, ky përjashtim tani përfshin gjithashtu ndihmën për vendet që janë sulmuar në mënyrë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, një nga kërkesat kryesore të të Gjelbërve.
Kjo do të thotë se, duke supozuar që plani të kalojë në parlament siç pritet tani, Gjermania do të jetë në gjendje të sigurojë shumë miliarda ndihmë për Ukrainën përmes huamarrjes. Shpenzimet për të kundërshtuar kërcënimet kibernetike, si dhe për shërbimet e inteligjencës, do të përfshihen gjithashtu në përjashtimin nga frena e borxhit, tha Merz.
Merz, lideri i Unionit Kristian Demokrat (CDU) dhe fituesi i zgjedhjeve gjermane të 23 shkurtit, kishte arritur një marrëveshje me partnerin e tij të mundshëm të koalicionit, Partinë Socialdemokrate (SPD), këtë muaj për paketën masive të shpenzimeve. Por, për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese në parlament, Merz ka nevojë për një shumicë prej dy të tretash dhe mbështetjen e të Gjelbërve të Gjermanisë, të cilët, deri më tani, e kishin refuzuar mbështetjen e tyre.
Marrëveshja e sotme hap rrugën që masat të kalojnë në Bundestag të martën. Qëllimi i Merz është që ndryshimet kushtetuese të miratohen deri më 25 mars, kur pritet të mblidhet parlamenti i ri i zgjedhur. Kjo sepse partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe partia e Majta, e cila kundërshton shpenzimet ushtarake, do të kishin fuqinë për të bllokuar reformat kushtetuese, dhe rrjedhimisht paketën masive të shpenzimeve, në parlamentin e ardhshëm.
Nëse ndryshimet kushtetuese miratohen përfundimisht, kjo do të shënojë një kthesë historike nga dekadat e kufizimeve fiskale për të mundësuar shpenzime masive për të forcuar mbrojtjen dhe për të ringjallur ekonominë gjermane. Frena e borxhit të Gjermanisë hyri në fuqi në vitin 2009, gjatë mandatit të ish-kancelares Angela Merkel dhe në kulmin e krizës së borxhit në Evropë.
Por, duke marrë parasysh sfidat e mëdha me të cilat përballen Gjermania dhe Evropa tani, përfshirë përparimet e Rusisë në Ukrainë, lëkundjet e presidentit amerikan Donald Trump mbi ndihmën për ushtrinë ukrainase, kërkesat e Trump për më shumë shpenzime ushtarake brenda NATO-s, si dhe ekonominë kronikisht të dobët të Gjermanisë, konservatorët ndryshuan qasje për të lejuar qindra miliarda euro në huamarrje të reja.
Marrëveshja dërgon “një mesazh të qartë për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe për kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë sonë,” tha Merz. “Ne jemi të aftë të mbrohemi dhe tani jemi plotësisht të përgatitur për ta bërë këtë.”
Të Gjelbrit ranë dakord në terma të gjerë me planin e Merz pasi siguruan angazhime për të përdorur shpenzimet infrastrukturore për politika klimatike. Konkretisht, 100 miliardë euro nga fondi i infrastrukturës do të shkojnë për përmbushjen e objektivave klimatike dhe kalimin në energji të rinovueshme, sipas marrëveshjes.
Kjo është një lëshim i konsiderueshëm për Merz, i cili, para zgjedhjeve, kishte kritikuar të Gjelbrit për favorizimin e politikave klimatike mbi rritjen ekonomike. Megjithatë, të Gjelbrit përdorën ndikimin e tyre për ta detyruar Merz të marrë parasysh klimën.
“Ne kemi siguruar që paratë e marra hua të investohen vërtet në të ardhmen — në një ekonomi moderne, një vend funksional dhe mbrojtjen e klimës,” tha të premten bashkëkryetarja e të Gjelbërve, Katharina Dröge.
Politico, përshtati në shqip