KANADA- Mark Carney është betuar zyrtarisht si kryeministri i 24-të i Kanadasë në një ceremoni në Rideau Hall, rreth një orë pas dorëheqjes formale të Justin Trudeau. Carney u tha gazetarëve gjatë rrugës për në ceremoni se qeveria e tij është e përqendruar dhe gati për të nisur punën.
Qeveria e re Liberale ka 24 ministra, përfshirë Carneyn, dhe përbëhet nga një miks i ministrave të periudhës së Trudeaus dhe fytyrave të reja. Anëtarët e ekipit kryesor që kanë qenë përgjegjës për menaxhimin e marrëdhënieve SHBA-Kanadë që nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë ende pjesë e kabinetit.
Ata përfshijnë Melanie Joly, François-Philippe Champagne, David McGuinty dhe Dominic LeBlanc. Ky kabinet do të funksionojë deri kur të shpallen zgjedhje të përgjithshme,ndoshta para datës 24 mars, kur Parlamenti është parashikuar të rinisë punën.