Në korrik të vitit 2022 Investigative Network Albania publikoi shkrimi “Privilegjet e deputetëve, deri në 1500 euro dieta”, shkrimi fakton se përpos faktit se performanca e deputetëve është e ulët në parlament, kur vjen fjala tek shpenzimet, ato janë të larta. Deputetët më pak aktiv rezultonin me më shumë përfitime dietash dhe shpenzimesh, çka bie ndesh me efikasitetin e tyre. Strehimi për deputetë që nuk janë rezidentë në Tiranë është një tjetër “karrem” i përdorur nga ligjvënësit për të përfituar më shumë para. Por këto të ardhura dhe benefite të listuara në vitin 2022 duket se nuk mjaftuan për të zgjedhurit e këtij mandati.
Po tre vite më pas, çfarë ka ndryshuar?
Në tremujorin e parë të vitit 2023, ligjvënësit shqiptarë si rrallë herë u bënë bashkë në votim unanim, arsyeja ishte rritja e pagave për veten. Kjo rritje ka bërë që të kemi deputetët më të “shtrenjtë” në kosto financiare.
Gjatë vitit 2024 për paga dhe shpërblime, 140 deputetë shqiptar kanë përfituar gati 5 milionë euro. Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm. Deri në vitin 2023 deputetët e parlamentit të Shqipërisë pagat dhe përfitimet shkonin në vlerën e 2500 euro, ndërsa për vitin 2024 kjo vlerë për parlamentarët ka shkuar mes 3000 dhe 4000 euro, varësisht përfitimeve që ata kanë. Përveç pagave, një sërë deputetësh paguhen për shërbime të tjera si komisionet parlamentare, dieta për udhëtime, karta telefonike, apo qira për banesa.
Më shumë paga, por jo më shumë përformancë!
Ajo që bie në sy është se deputetët që kanë patur më shumë shpenzime nuk kanë patur aktivitet parlamentar, as në komisione e as në seanca parlametare, as duke qenë aktivë apo duke propozuar nisma.
Afrim Krasniqi, Drejtori Ekzekutiv i ISP, shprehet për INA Media se ka një nonsens mes efikasitetit dhe kostos financiare për taksapaguesin.
“Piramida e përmysur deputetë që janë më pak aktivë kanë më shumë përfitime më të larta. Këto deputetë janë kryesisht deputetët e periferisë, të cilët nuk lënë gjurmë dhe shumë raste as nuk përfaqësojnë elektoratit. Përshëmbull janë një grup deputetësh që shkojnë në çdo komision, në çdo mbledhje, udhëtojnë nëpër rrethe, që nuk janë produkte politike, por janë vetëm me qëllim përfitime financiare në honorare”.
Përfitimet e tjera përpos rrogës
Deputetët, përveç pagesës standart përfitojnë të ardhura nga pjesëmarrjet në komisione dhe në aktivitetet e tjera parlamentare. Po ashtu, një tjetër element janë shërbimet mbështetëse duke nisur nga kuotat telefonike dhe pagesa për qira banese ose dieta udhëtimesh.
Sipas përllogaritjeve të Mario Brakajt, gazetar ekonomie, një pjesë të konsiderueshme të buxhetit e zënë honoraret e deputetëve, ku kryesojnë pagesat e hoteleve.
Shumat e telefonit e pagesave të fjetjes në hotele, deputetët shqiptar kanë përfituar më shumë se 223 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro. Në linjë me rrogat, edhe shpërblimet më të mëdha janë dhënë në muajt e fundit të vitit.Në drejtim të honorarëve, udhëtimet brenda dhe jashtë vendit përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve me 24 %, ndjekur nga shpërblimet për pjesëmarrje në komisione, telefoni, qiratë dhe hotelet.
Sipas Krasniqit, këto sherbime, si pagesa telefonike me avancimin e teknologjisë janë shërbime që nuk përdorën më përmes thirrjeve, por pjesa më e madhe bëhet përmes Internetit, ose do të duhej të mbulohen nga vetë deputetët.
Por edhe për ketë, pagesat vijojnë të mbetet të larta. Një deputet shqiptarë në muaj përfiton 17.000 leke rimbursim vetëm për shpenzimet e telefonit, referuar vendimit të Kuvendit nr.114/2014. Po ashtu, ndër shpenzimet më të larta të mbuluara mbetet edhe ai i karburantit, ku rimbursimi varion deri në 40.000 mijë lekë çdo muaj.
Ndërsa për kuotat për qiratë e apartamenteve, 19 deputetë të këtij legjislacioni paguhen me 35.000 lekë në muaj, ku përjashtim bën deputetja Sorina Kote, e cila merr dyfishin për qiranë e shtëpisë me 70.000 lekë, referuar të dhënave të Kuvendit të muajit nëntor 2024.
Sipas Afrim Krasniqit jeta parlamentare vuan nga mungesa e transparencës. Ai shprehet se “Një tjetër element është që parlamenti nuk ka sistem verifikimi, sepse ka deputete që marrin benefit për qira dhe ndërkohë kanë banesa edhe në Tiranë. Mungesa e tranparencës për kostot financiare është e madhe.”
Mungesa pa arsye
Në seanca parlamentare kanë munguar por me mungesa me të pakta deputetë si Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi etj.
Deputetët Shqiptarë më të shtrenjtë se homologët në rajon
Në Shqipëri deputetë shqiptarë paguhen më mirë se homologët e tyre në Kosovë, Mali të Zi apo Bosnje dhe Herzegovinë. Deri kur Parlamenti shqiptar vendosi për rritjen e rrogave dhe benefiteve, deputetët shqiptar, kishin në raport me rajonin më pak mbështetje në rrafshin administrativ, por me rritjen e 2023, veç rritjes së pagave janë rritur edhe honoraret dhe privilegjet. Në Kosovë, rroga bazë e një deputeti është 1720 euro, dukshëm më e ultë se në Shqipëri. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut mesatarisht ligjvënësit paguhen 2000 euro, ndërsa në Bosnje dhe Herzegovinë kjo shifër është midis 1800 deri në 2500 eurove. Edhe në këto vende, nëse përfaqësuesit e popullit përfshihen në komisione apo aktivitete të tjera parlamentare, kjo shifër rritet, por sërisht në diferencë më vendin tonë, ku pagat dhe perfitimet e deputeteve shkojnë deri në 4000 euro.
Për vitin 2024, Kuvendi i Shqipërisë pati një buxhet total prej 1,232,566,000.00 Lekë ku pagat e deputetëve zunë 40% të totalit të buxhetit të institucionit me shumën totale për paga prej 491,410,242.00 Lekë, ose 67% e totalit të buxhetit për shpenzime legjislative. Më pas me 24% të buxhetit ishin shpenzimet operative, për suportimin e këtyre të fundit në zbatimin e funksionit të tyre, me një shumë totale prej 294,226,000.00 Lekë.
Për studiuesin Afrim Krasniqi, ka elementë të legjislacionit që duhen rishikuar sepse shtojnë kostot, me një nga pikat ekzistencën e pensionit suplementar.
“Marrja e trajtimit financiar i përjetshëm i deputetit edhe nëse nuk kandidon më shton kostot për shkak të pensionit suplementarë duke e çuar në trefish koston e përfitimit nga ata.”
Në një kuvend ku braktisja e seancave, bojkoti apo seanca 7 minutëshe kanë zevendësuar debatet e gjata për ligje që kanë në qëllim përmirësimin e jetës së qytetareve, është paradoks që shpenzimet për lukse të atyre që duhet të ishin zëri i qytetarëve vijojnë të rriten, duke i kthyer deputetët tanë të shtrenjtë në kosto por jo detyrimisht më të përkushtuar ndaj misionit të tyre.
*Përllogaritja është bërë në euro sepse pagat në rajon janë më monedha të ndryshme dhe janë njehsuar në euro për të parë shifrat në menyrë krahasimore.