Bagëti e propagandë |

10 Min Read

Nga Gjergj Erebara

Në vitin 29 p.e.s., poeti romak Virgjili, i njohur sot më së shumti për epikën në vargje Eneida, botoi një poemë tjetër, e cila quhet Gjeorgjika, ose Bujqësia, sepse rastësisht qëllon që emri i autorit të këtij shkrimi në greqishten e vjetër do të thotë bujk. Eneida është e njohur për shqiptarët për shkak se Henrik Lacaj i hyri punës drithëruese të sjelljes së saj në shqip, ndërsa Gjeorgjika, vepra e dytë e madhe e Virgjilit, me sa kam dijeni, nuk është sjellë kurrë.

Gjeorgjika ka rëndësi të madhe në historinë e njerëzimit për shkak se, për aq sa dihet, është hera e parë që ndërgjegjja shpirtërore e botës, që është letërsia, e sheh bujqësinë dhe blegtorinë, bujkun dhe blegtorin, si dhe punën me baltë e me bajga, jo me përbuzjen e zakonshme që i rezervohet kësaj pjese të shoqërisë nga elitat, por si një idil, një ëndërr, një botë e paqme që përfaqëson lirinë, pavarësinë nga autoriteti, dinjitetin.

Një nga rrëfenjat e përfshirë në poemë flet për një ish-pirat, tashmë i moshuar, me ditët e tij të plaçkitjes dhe dhunimit pas krahëve, duke u kujdesur për të mbjellat e veta, ekspert në hortikulturë dhe bletari. Ai i përshkruan këto të mira të thjeshta si po aq madhështore sa pasuritë e mbretërve.

Virgjili ishte gjithashtu një poet oborri. Poema e tij Eneida u financua nga themeluesi i sundimit me një njeri në Romë, Augusti. Eneida rrëfen përrallën që romakët i treguan vetes për origjinën mitike të vetes dhe pushtetit të tyre. Një histori që nis me arratisjen e heroit legjendar Enea nga Troja në flakë, braktisjen e dashurisë së tij për hatër të fatit të paracaktuar për famë dhe pushtet dhe themelimit të Romës, për të përfunduar me sundimin e Augustit.

Edhe supozimi i tij që, kur je bujk a blegtor, të jep mundësinë të mos e çash kokën për të parë në mënyrë pyetëse se kush është njeriu që po sundon dhe se si po e bën punën e menaxhimit të të mirave të përbashkëta ky që është në krye, është qartazi një model propagande. Augusti të ka dhënë mundësinë që të jesh i lirë me delet e me dhitë e tua, kështu që mos e vrit mendjen se nuk është puna jote se kush qeveris e si qeveris.

Struktura e Eneidës u përdor shekuj më vonë nga Marin Barleti për të sjellë Historinë e Skënderbeut diçka që u vërejt nga studiuesja daneze Minna Skafte Jensen.

Nejse!

Ndjenjat njerëzore që zbuloi Virgjili mbi dy mijë vjet të shkuara dhe dëshirat e njeriut për bollëk dhe liri dhe gjetja e realizimit të këtyre dëshirave te bujqësia e blegtoria janë bërë përgjatë të gjithë historisë, shënjestër e propaganduesve.

Idilizimi i bujqësisë nga Virgjili dhe të shumtë më pas tij, vështirë se i mbijeton dot këndvështrimit kritik të përdorimit të ndjenjave njerëzore për propagandë. Për shembull, një fotografi keci përcjell ndjenjat e rinisë, gjallërisë, jetës së lumtur dhe mungesës së nevojës për mendime të komplikuara. Ajo që nuk shfaqet në foto është që, me gjasa, disa muaj pasi kjo foto të jetë bërë, keci në fjalë do jetë therur për t’u ngrënë. Por propaganduesit kanë pasur gjithnjë e më shumë efekt në jetët e njerëzve duke nisur nga shekulli i njëzetë, kur, mbi të gjitha, Mussolini, përdori radion për të përcjellë propagandën e vet brenda shtëpisë së çdo qytetari, ndërsa rrjetet sociale dhe celulari sot mundësojnë që propaganda të depërtojë jo thjeshtë brenda shtëpisë, por edhe në krevat apo hale. Në krahasim me këtë, leximi i Virgjilit nga popullsia përgjithësisht analfabete e botës së lashtë ngjan si një ushtrim propagande tmerrësisht i ngathët.

Të qenit bujk nuk të sjell doemos çlirim nga sikletet njerëzore, sepse sërish mund të biesh në varfëri, të sëmuresh e të kesh nevojë për ilaçe e mjekësi. Në mënyrë kyçe, të qenit fermer, pavarësisht se jetesën e ke të lidhur me tokën, nuk të çliron nga nevoja që çdo anëtar i një trupe politike, qoftë bujk, qoftë inxhinier avionësh, të shohë me vëmendje se kush po qeveris dhe si po qeveris, nëse po shpërdoron paratë që nevojiten për të mbuluar këto sikletet si rrugë, ujë, kanalizime, kujdes shëndetësor, shkolla e përkujdesje sociale, duke i futur në xhep apo duke i bërë vila të njëpasnjëshme.

Mussolini ishte ai që, pasi një kënetë u tha, (nuk duhet ta harrojmë që këneta u tha me paratë dhe punën e italianëve), ai u shfaq në telekronikat televizive duke korrur drith, pra duke siguruar bukën për popullin. Dhe në vitet 1970 e 1980, sundimtarët komunistë shqiptarë u përpoqën të rinonin veten duke rekrutuar disa fermere dhe blegtore nga fshati drejtpërsëdrejti për në Byronë Politike, një strukturë që në atë kohë ishte ekuivalenti i parlamentit të sotëm.

Kur Lenka Çuko u bë anëtare e Byrosë Politike në vitin 1971, ajo ishte 33 vjeç. Edhe ajo u mor nga fshati, jetoi gjatë të gjithë kohës me sharje, fyerje dhe tallje për fillesat modeste të karrierës së saj, sqaroi në një intervistë se nuk kishte qenë mjelëse, siç përbuzej rëndom nga elita ish-proletare e kohës, por “bujkeshë”. Rekrutimi nga fshati vështirë se ndryshoi gjë në strukturën qeverisëse, as nuk ndaloi dhunimin, burgosjen e internimet dhe as nuk solli ndonjë përmirësim në nivelin e jetesës.

Deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë pritet të jetë Marjana Koçeku, e cila është njohur në median sociale si blegtore. Ajo deklaroi se dëshiron të përfaqësojë bashkësinë e Dukagjinasve dhe zgjodhi, në mënyrë shumë simbolike, të përdorë gegnishten në deklaratën e parë.

Një gjë është mirë t’ia kujtojmë znj. Koçeku dhe të gjithë deputetëve të të gjitha partive, deputetë që sakaq janë bërë të tillë pavarësisht se zgjedhjet nuk janë bërë ende, është që kjo puna e përfaqësimit të një bashkësie, qoftë ajo fshatare apo qytetare, gegë apo toskë, me dhi apo me mercedezë, është pak më e komplikuar se sa kaq. Sepse deputetët në Republikën e Shqipërisë emërohen dhe nuk zgjidhen.

Gjithsesi, secili nga këto deputetë, përfshirë edhe znj. Koçeku, i ka mundësitë që, duke nisur nga sot, meqë letrat janë depozituar sakaq në KQZ dhe nuk mund të zhbëhen, të bëhen përfaqësues të denjë, jo vetëm e malsorëve të Dukagjinit, por të të gjithë shqiptarëve, duke u ngritur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke mos toleruar korrupsionin, duke respektuar shtetin e së drejtës dhe mbi të gjitha, duke pyetur kryetarët që i kanë emëruar për deputetë se pse nuk ka ilaçe te onkologjiku, pse rrugët janë të shkatërruara, pse vendi është ndarë me llokma për oligarkët.

Si deputete e emëruar në zonën e Shkodrës, znj. Koçeku mund ta nisë mbarë duke vajtur një ditë aty në brinjë të katedrales në qytetin e Shkodrës, ku një menzë e kishës që quhet “Buka e Shna Ndout” i ofron të varfërve një vasketë të vogël supe, e një copë fare të vockël bukë. Me aq sa marr me mend, supa në fjalë duhet të kushtojë rreth 20 apo 30 lekë, ndërsa copa e bukës, rreth 10 lekë.

Znj. Koçeku mundet të bëhet përfaqësuese e të gjithë shqiptarëve në rast se shkon te ai që e ka emëruar për ta pyetur se pse, në vitin 2025, në Shqipëri, ka njerëz që kanë nevojë për një vakt falas që nuk kushton as një gjysmë euro, e madje janë dukshëm të uritur edhe për kaq, në një qytet ku as 100 metra më larg planifikohet të ndërtohet një kullë Babeli. Deri sa ta bëjë këtë apo gjëra të tilla, ajo nuk është përfaqësuese e Dukagjinit në parlament, por është e deleguara e Edi Ramës në Dukagjin./ BIRN

Share This Article
Leave a Comment