Vuçiç u kërkon studentëve të vendosur në kampe në Beograd të kthehen në shtëpi më 15 mars

4 Min Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë thirrje studentëve të vendosur në kampe në qendër të Beogradit, t’iu kthehen orëve mësimore dhe të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre të shtunën e 15 marsit.

Kërkesa e Vuçiçit vjen pasi të shtunën Beogradi pritet të jetë qendra e një tubimi masiv, të organizuar nga studentë të tjerë, të cilët ka muaj që kanë bllokuar universitetet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor.

Vuçiç u takua me një grup studentësh, të cilët i kundërshtojnë bllokadat e studentëve, në ndërtesën e Presidencës serbe të enjten.

Ata i thanë presidentit serb se do ta marrin një vendim për kërkesën e tij për t’u tërhequr “brenda 24 orëve të ardhshme”.

“Nëse pranoni, faleminderit shumë, do të na lehtësoni punën, nëse nuk e pranoni, ne do t’i mbrojmë të gjithë”, u tha Vuçiq atyre.

Gjatë bisedës, ai akuzoi edhe një herë organizatorët e tubimit të së shtunës se “dëshirojnë dhunë”.

“Ne kemi dalë me plane më të vështira dhe më të këqija që nuk ju drejtohen juve, por institucioneve kompetente”, tha Vuçiq, pa shpjeguar dhe pa dhënë prova për këto pretendime.

Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë së udhëhequr nga Partia Progresive Serbe kanë paralajmëruar më parë dhunë dhe trazira në protestën e ardhshme më 15 mars.

Tubimet masive të organizuara nga studentët në bllokadë në disa qytete të mëdha të Serbisë deri më tani kanë qenë paqësore dhe në to nuk është shënuar asnjë incident.

Vuçiç tha gjithashtu se ai do ta “bëjë më të mirën” për t’u siguruar që situata me studentët që kërkojnë të kthehen në mësime “të zgjidhet deri në prill”.

Anëtarët e shoqatës së sapothemeluar “Studentët 2.0”, të cilët kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve, mbrëmjen e 6 marsit ngritën tenda në parkun përballë Presidencës së Serbisë dhe kanë paralajmëruar se aty do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ata e quajnë veten studentë “që duan të mësojnë” dhe ndër të tjera kërkojnë shtimin e afateve të provimeve dhe shtyrjen e nisjes së vitit të ri shkollor, për shkak të bllokimit të fakulteteve.

Ata po ashtu kërkojnë shkarkimin e ministres së Arsimit, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, moratorium për kreditë studentore dhe uljen e kërkesave për regjistrim në buxhet.

Kampi përballë Presidencës është kundërpërgjigje ndaj bllokadave disamujore të fakulteteve dhe protestave të udhëhequra nga studentë që kërkojnë përgjegjësi politike për aksidentin në Novi Sad.

Qeveria pretendon se ka plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve në bllokadë dhe kërkon ndërprerjen e protestave.

Më 6 mars, Parlamenti serb miratoi amendamentet e Ligjit që parashikojnë një rritje prej 20 për qind të ndarjeve buxhetore për arsimin e lartë. Kjo, sipas përfaqësuesve të Qeverisë, plotëson kërkesën e fundit, të katërt, të studentëve.

Një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit në një raport më 5 mars deklaroi se tre kërkesat e para të studentëve nuk janë përmbushur.

Grupi deklaroi se nuk është publikuar i gjithë dokumentacioni për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe se nuk janë identifikuar të gjithë personat që sulmuan studentët gjatë bllokadës, që janë kërkesat e akademikëve në bllokadë./REL

Share This Article
Leave a Comment