TIRANË- Në gjykatën e posaçme ditën e sotme ka dëshmuar Festim Bexhdili. Bexhdili ka dëshmuar para gjykatës në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës. Prokurori Behar Dibra i drejtoi një numër të lartë pyetjesh të njëjta dëshmitarit çka solli reagimin e gjyqtarit i cili u tërhoqi vëmendjen prokurorit që të formulonte siç duhet pyetjet.
Bexhdili gjatë dëshmisë së tij u shpreh se të “Golden” bënte të gjitha punët si kamarier e kopshtar. Ai theksoi se paguaj nga halla e tij e cila është nëna e Altin Hajrit. Sipas tij në pronësi “Golden” ishte e Altin Hajrit ndërsa me organizimin merrej halla e tij.

Sa i përket ditës së rrëmbimit të Jan Prengës, dëshmitari theksoi te vendi i tij i punës shkuan 4 persona dhe i kërkuan 4 bidona. Ai theksoi se personat ishin me kapuç dhe ripersëriti që nuk i njihte edhe pse prokurori e pyeti disa herë.
Prokurori: Ç’punë bëje te Golden në 2020?
Bexhdili: I bëja të gjitha. Kamarier, kopshtar. Më paguante halla ime, që nëna e Altin Hajrit.
Prokurori: Më herët ç’punë ke bërë?
Bexhdili: Kam punuar si ndihmës kuzhinier.
Prokurori: Kush ishte pronari i Golden?
Dëshmitari: Unë si pronar njoh Altin Hajrin. Me organizimin, prenotimin, merrej halla ime Hatixhja.
Prokurori: Ditën e ngjarjes ku u ndodheshe?
Dëshmitari: Jam gjendur në vendin e punës. Erdhën 4 persona, që si njihja. Te kompleksi u fut një makinë në garazh. Më kërkuan 4 bidona ujë dhe kam ikur. Personat ishin me kapucë, si njihja.
Prokurori: Personat që hynë ishin në kapuçë?
Dëshmitari: U çova ujë se isha i frikësuar. Edhe sot kam frikë. Më kanë futur ne hasmëri me persona kot. Më dënojnë burg përjetë prokurorët.
Prokurori: Stë dënon prokurori, por gjykata. Kush e hap derën e kompleksit, ka roje?
Dëshmitari: Dera ishte e hapur. Unë isha duke larë pishinën, kur hyri makina e bardhë Range e bardhë. Shkova dhe 4 personat ishin me kapuçë dhe nga frika iu çova ujë.
Prokurori: Ishe vetëm?
Dëshmitari: Po vetëm isha.
Prokurori: Kishe mjet pune?
Dëshmitari: Po kisha, po pastroja pishinën. E lashë te garazhi.
Prokurori: Pate komunikim me këta persona?
Dëshmitari: Më kërkuan vetëm ujë.
Prokurori: I pyete ç’donin?
Dëshmitari: Donin vetëm ujë.
Prokuroria: Na i përshkruaj?
Dëshmitari: Si mbaj mend. Si njihja. S’di çtë them.
Prokurori: Bënë ndonjë lëvizje?
Dëshmitari: Sdi gjë.
Prokurori: Lëvizën nga makina?
Dëshmitari: Smë kujtohet. Se di.
Prokurori: Njoftove njëri se kishin ardhur këta persona?
Dëshmitari: Jo nuk njoftova asnjëri.
Prokurori: Pasi iu çove ujin çfarë bëre?
Dëshmitari: Se di nëse kam qëndruar apo ikur. Nga frika s’di çfarë kam bërë.
Prokurori insiston të dijë se ua mori ose jo shishet, në një kohë që nuk pyet për pengun.
Prokurori: Çfarë mbani mend se ndodhi pasi ata pine ujë?
Dëshmitari: S’di gjë fare.
Prokurori: Çfarë bëre pasi pe që pinë ujë?
Dëshmitari: Ika të laj pishinën. U thashë të largohen. Kisha frikë se ishin me maska dhe me armë.
Prokurori: Folën me ju?
Dëshmitari: S’më kujtohet.
Jan Prenga u rrëmbye në 17 janar 2020. Urdhri për rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit Jan Prenga dyshohet se ka ardhur nga një burg në Ekuador, ku vuante dënimin shqiptari Dritan Rexhepi. Ky i fundit është një emër i njohur nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë ndërsa pas krimit u arratis. Gjithashtu në 2014-n ai u arrestua me 240 kg kokainë në Ekuador.
Ndërkohë që për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, hetuesit shqiptarë zbuluan përgjimet telefonike nga Ekuadori, lidhur me sasinë e kokainë që do të transportohej nga Amerika Latine në Britani. Kokaina u mor për t’u transportuar nga vëllai i viktimës, Astrit Prenga, i cili nuk e dorëzoi kurrë dhe në formë hakmarrje u vendos rrëmbimi dhe më pas vrasja e Jan Prengës.