Gazetarja Ola Xama, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për procesin ndaj Erion Veliajt dhe përgjimet e tij në paraburgimin e Durrësit.
Xama e konsideroi një skandal faktin që Veliaj u ka dhënë urdhër mediave, të sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët dhe se urdhrat e tij janë pasqyruar në media madje edhe në ato kombëtare. Ajo tha se për herë të parë është e provuar me fakte që Veliaj urdhëron fushata dezinformimi ndaj çdo personi që e konsideron kundërshtar dhe shtoi se përgjimet tregojnë se gazetarët i trajtonte si çirakë të tij.
“Se cilët janë urdhrat konkretisht që ka dhënë Veliaj, do të presim ta lexojmë në vendimin e arsyetuar të gjykatës. Por nga ajo që kemi lexuar në media, fushatat e dezinformimit ndaj prokurorëve dhe gjykatësit, por edhe familjarëve të tyre, kanë qenë të porositura për të intimiduar, mbase edhe shantazhuar njerëzit e drejtësisë. Ajo që bën përshtypje është që Veliaj, edhe pse ka shkuar për një vendim të gjykatës që ka kundërshtuar si të padrejtë, ka vijuar të shkelë ligjin. Ka përdorur telefonin, që pas kontrollit ia kanë marrë. Ka treguar naivitet që ka vijuar të flasë në telefon. Ka vijuar të besojë se është i paprekshëm dhe askush nuk hyn dot në paraburgim dhe të më marrë telefonin. Është vendosur në përgjim telefoni i vëllait. Fushatat e dezinformimit konfirmojnë me fakte, që Veliaj porosit fushata dezinformimi për këdo që ai konsideron kundërshtar. Ky zbatim me përpikmëri i të gjithë urdhrave dhe lajmeve të rreme, që porositen nga Veliaj, duke e ditur se po publikon shpifje me qëllim denigrimin e disa figura, tregon nivelin se ku ka rënë media shqiptare. Dikush nga burgu, kryetari i bashkisë, porosit lajme dhe ata i zbatojnë.
Pyetja, pse e bëjnë këto media? A janë media që ndajnë të njëjtin këndvështrim me zotin Veliaj, se besojnë që është politikan i punës? Nuk besoj se është kjo arsye. Po të dimë kontekstin e disa lajmeve dhe se si i referohet disa gazetarëve, janë thjesht çirakë të listës së borderosë së pagesave të Veliajt, nga kompania Gogel e Arbër Veliajt. Në disa raste ata kanë dalë me figurën e tyre për ti thënë këto gjëra. Këtu janë bërë pjesë mediat kombëtare, janë frekuenca publike”, tha Xama.
Gazetarja foli edhe për kompaninë e vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliaj, që ka patur një rritje të jashtëzakonshme që kur Erion Veliaj ka ardhur në krye të bashkisë, ndërkohë që klienti kryesor i kësaj kompanie është “One Albania”.
“Një kompani me vlerë 50 mijë euro xhiro, Gogel e Arbën Veliajt, me xhiro modeste si fillim. Në vitin 2014 xhiro rritet, në 230 mijë euro. Për të arritur pastaj në 2023, me 8 milionë euro xhiro. Ka bërë 30 milionë euro xhiro dhe klientët kryesore janë kompania ONE, etj. Në ambjentet e kësaj kompanie SPAK ka ushtruar kontrolle disa javë më parë dhe po shihen se me çfarë çmimi janë paguar.
Një pyetje, si ka mundësi që të gjithë familjarët e politikanëve, sa herë hapin kompani janë të suksesshëm? Po të shohim, edhe kompania e Ajola Xoxës, po ashtu me xhiro të lartë. Klientët të gjithë të bashkisë së Tiranës. Edhe kompania e vjehrrës së Veliajt, me xhiro shumë të madhe. Gjithë fisi dhe të afërmit e këtij zyrtari bëhen të pasur dhe gjejnë lumturinë në realitetin shqiptar. E ka gabim SPAK këtu?”, tha ndër të tjera Xama.
Skemë korruptive “Bashkia Tiranë-One Albania”? SPAK, hetim për rolin e “Gogel” të Arbër Veliajt
Bashkia Tiranë “qep” tender 700 mijë euro për “ONE”, skema u zbulua në vendimin e KPP