Është arrestuar me urdhër të SPAK, e dashura e Safet Bajrit, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur më 10 gusht të vitit 2018.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për shtetasen me iniciale E.A., e cila është pronare e një butiku rrobash në “Myslym Shyri” në kryeqytet.
Mësohet se ajo është arrestuar 5 ditë pas arrestimit të Safet Bajrit, teksa është vënë në pranga nga departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
Burime bëjnë me dije se shtetasja E.A. është marrë në pyetje edhe nga SPAK në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit, teksa aktualisht ndodhet në burgun e Pojskës në Pograden. Mësohet se ajo akuzohet për veprën penale të krijimit të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Fatbardh Lici ka qenë pjesëtar i familjes Lici, vëllai i Sokol Licit dhe Mustafa Lici. Po ashtu ai ka qenë xhaxhai i Ibrahim Licit dhe kunati i Lulzim Kullës, i njohur si i ”forti i Shkodrës, i cili po ashtu është vrarë.
Gjatë vitit 2018, në Shkodër kanë ndodhur edhe vrasjet e Lulzim Kullës, Arjan Ferracakut dhe Kujtim Ferracakut, të cilat u pasuan në vitet e tjera dhe nga atentate të tjera në Shkodër, të cilat dyshohet se kanë ardhur si pasojë e përplasjes së përgjakshme të fisit Lici me fisin bajri dhe Bilali.