Armenia dhe Azerbajxhani – të cilat kanë luftuar disa herë që prej fundit të viteve ’80 – kanë finalizuar tekstin e një marrëveshjeje të shumëpritur për paqe, e cila synon vendosjen e marrëdhënieve formale mes tyre.
Ky është një hap i madh drejt dhënies fund të armiqësove mes këtyre dy vendeve.
Ministria e Jashtme e Armenisë konfirmoi më 13 mars se Jerevani i ka pranuar propozimet e Azerbajxhanit mbi dy nenet e mbetura të pakoordinuara të marrëveshjes, duke përmbyllur në mënyrë efektive negociatat rreth tekstit.
Ajo ka propozuar konsultime me Azerbajxhanin për datën dhe vendin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, u tha gazetarëve në Jerevan pak pas njoftimit të Ministrisë se draft-marrëveshja e paqes është kompromis dhe se vendi i tij është i gatshëm t’i fillojë konsultimet për kohën e nënshkrimit të marrëveshjes.
“Nuk mbajnë asnjë fshehtësi nga shoqëria jonë në atë tekst, i cili, në fakt, u publikua veçmas nen për nen. Nuk mendoj se mund të thuhet se shoqëria nuk është e njoftuar me përmbajtjen”, tha Pashinian, duke theksuar se Armenia dhe Azerbajxhani nuk do të vendosin forca të huaja përgjatë kufirit pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Ceyhun Bayramov, u tha gazetarëve më 13 mars se “procesi i negociatave mbi tekstin e marrëveshjes së paqes ka përfunduar zyrtarisht”, duke shtuar se “dy klauzolat e fundit të pazgjidhura janë adresuar, dhe Armenia ka pranuar propozimet e Azerbajxhanit”.
Pavarësisht kësaj arritjeje, Azerbajxhani këmbëngul se marrëveshja nuk mund të nënshkruhet derisa Armenia ta rishikojë Kushtetutën dhe kuadrin e saj ligjor për ta hequr çdo referencë për pretendime territoriale mbi rajonet brenda Azerbajxhanit, duke iu referuar kryesisht Nagorno-Karabakut.
“Ky është parakusht i domosdoshëm për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes”, tha Bayramov.
Bisedime disavjeçare
Zhvillimet e fundit vijnë pas bisedimeve disavjeçare për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Nagorno-Karabaku, me një popullsi të madhe armene, ishte nën kontrollin e autoriteteve etnike armene nga fillimi i viteve ‘90, pas një lufte shkatërruese midis dy fqinjëve pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Megjithatë, pas një ofensive të shkurtër por intensive ushtarake të Azerbajxhanit në shtator të vitit 2023, udhëheqja separatiste u dorëzua dhe rajoni, tani zyrtarisht i quajtur Karabak, u riintegrua në Azerbajxhan.
Lufta çoi në eksodin masiv të më shumë se 100.000 armenëve etnikë nga ky rajon, duke i dhënë fund dekadave të sundimit separatist.
Pas luftës së fundit për kë rajon, Armenia dhe Azerbajxhani rifilluan bisedimet për një marrëveshje paqeje për ta njohur zyrtarisht integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike.
Një nga pengesat kryesore në bisedime ka qenë pozicioni ligjor i Armenisë në lidhje me statusin e Nagorno-Karabakut si territor azerbajxhanas.
Bakuja ka argumentuar prej kohësh se Kushtetuta e Armenisë përfshin pretendime territoriale të nënkuptuara mbi Nagorno-Karabakun, dhe zyrtarët azerbajxhanas këmbëngulin se kjo duhet të ndryshohet para se marrëveshja të mund të nënshkruhet./REL/