Liberalizimi i tregut të energjisë: Bizneset përballen me rritje të kostos

5 Min Read

Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa rregullatorët e cilësojnë këtë si hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike.

Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.

Përfaqësuesit e tyre, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.

“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70 për qind më shtrenjtë se aktualisht”, thotë Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”.

Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.

Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.

Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.

Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.

Ku mund të furnizohen kompanitë me rrymë?

“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.

Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

“Pasoja për bizneset”

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese.

Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.

“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.

Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.

Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

A ka alternativa?

Aktualisht, 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë varet nga prodhimi i thëngjillit në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe rreth 20 për qind prodhohet nga burime të ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Në përqindjen e fundit hyjnë edhe disa biznese që kanë investuar në burime të tilla, për t’i ulur kostot e energjisë.

Pse flitet tani për liberalizimin e tregut të energjisë?

Realizimi i këtij procesi është shtyrë deri në mars të vitit 2021, me kërkesë të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, të cilët, siç kujton Rafuna, kanë kërkuar të mos realizohet pa u krijuar kushtet e duhura.

Tani, katër vjet më vonë, Rafuna dhe Fusha kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë sërish fillimin e këtij procesi, derisa të këtë më shumë furnizues me energji në treg dhe të krijohen mekanizma mbrojtës për kompanitë, në mënyrë që ato të mos detyrohen të paguajnë, siç shprehen, çmime të padrejta.

Ky institucion tha se ka licencuar kompani të mjaftueshme për furnizim me energji, ndërsa sa u përket mekanizmave mbrojtës, theksoi se do t’i monitorojë vetë marrëveshjet mes bizneseve dhe kompanive furnizuese.

Share This Article
Leave a Comment