Manovra me dorëheqjet e kryebashkiakëve: Pse Rama zgjodhi të nxjerrë në “pension politik” Veliajn?

2 Min Read

TIRANË– Në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama ka bërë një manovër të re: disa kryebashkiakë të Partisë Socialiste kanë dhënë dorëheqjen për t’u futur në garën për deputetë. Kjo lëvizje ka përfshirë emra si Ervin Demo, Tërmet Peçi dhe Agron Malaj.

Tërmet Peçi e kishte këtë si mandatin e tij të fundit dhe nuk mund të rikandidohej më për Bashkinë e Tepelenës. Ligji i ndryshuar i vitit 2019, ndaloi kryebashkiakët me 3 mandate nga rigarimi, nisur nga precedentët e të shkuarës ku disa bashki udhëhiqeshin nga disa “pashallarë” për gati dy dekada.

Tërmet Peçin për të mos e lënë jashtë loje, Rama i dha një vend në listat e deputetëve, duke i siguruar vijimësinë politike. E njëjta logjikë u ndoq edhe për kryebashkiakët e tjerë. Por, përse kjo derë u hap për disa emra tërësisht të pallogaritshëm dhe nuk u hap për Erion Veliajn?

Erion Veliaj është një nga figurat më të rëndësishme të PS-së në dekadën e fundit. Ka mbajtur 3 mandate si kryebashkiak i Tiranës dhe nuk mund të rikandidojë më. Nëse do të ndiqej e njëjta skemë si me Peçin, ai do të ishte futur në listat e deputetëve për të siguruar vijimësinë e tij politike. Por kjo gjë nuk ndodhi.

Tani ai ndodhet në mes të një procesi penal që mund ta nxjerrë jashtë loje përfundimisht. Nëse shpallet fajtor, e pret burgu. Por edhe nëse del i pafajshëm, e pret pensioni. Një pension politik i firmosur nga kryetari i tij, që paradite deklaron se i dhimbset Veliaj dhe se ka punuar natë e ditë për Tiranën dhe pasdite në mbledhjet e drejtuesve politikë vendos ta aneksojë totalisht nga Partia Socialiste. A po afrohet ndarja e madhe?/Dosja

Share This Article
Leave a Comment