Dy persona janë arrestuar nga policia e Vlorës ndërsa një tjetër është proceduar penalisht pasi shpërndanin kartëmonedha të falsifikuara.
Jurgen Tërpo, 25 vjeç, dhe Bledar Sulko, 35 vjeç, siguronin eurot false ndërsa 24 vjeçari Trifon Kiço i fuste në treg duke kryer blerje në biznese të ndryshme të qytetit.
Gjatë operacionit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një shumë prej 2550 eurosh të dyshuara të falsifikuara, në prerje 50 dhe 100 euro.
“Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Cash” ku si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
•J. T., 25 vjeç, banues në Skrapar;
•B. S., 35 vjeç, banues në Përmet.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. K., 24 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin e Vlorës.
Shtetasi T. K. dyshohet se siguronte kartëmonedha false nga dy të arrestuarit dhe më pas i fuste në treg duke i përdorur për blerje në biznese të ndryshme të zonës.” njofton policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.