Pas incidentit në Shtëpinë e Bardhë, SHBA pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën. Tani druhen, se Elon Musk mund ta ndërpresë një ditë edhe aksesin në shërbimin satelitor Starlink, që i duhet Ukrainës për dronët.
Pas incidentit në Shtëpinë e Bardhë SHBA pezulloi fillimisht ndihmat ushtarake për Ukrainën. Së fundi u rrit shqetësimi, nëse Elon Musk mund ta ndërpresë edhe aksesin në shërbimin satelitor Starlink, ndonëse ai vet thotë, se nuk është shprehur për një gjë të tillë.
Që atëherë shërbimi i internetit satelitor, i ofruar nga kompania e Musk Space X, ka qenë një mbështetje kryesore e luftës mbrojtëse të Ukrainës. Kryesisht dronët ukrainas, por edhe aplikacionet e bazuara në internet për komunikim, për identifikimin dhe kapjen e objektivave përdorin Starlink.
Megjithatë besimi i Ukrainës te miliarderi Musk u trondit thellë që në shtator 2022. Gjatë sulmit të parë ukrainas me dronë kundër flotës ruse të Detit të Zi në Krime, kontakti i radios me të gjithë dronët u ndërpre papritmas, ata ranë dhe kundërsulmi dështoi. Një vit më vonë doli, se Elon Musk kishte urdhëruar personalisht inxhinierët e Starlink, që të fiknin sistemin.
Shqetësimi për humbjen e kontrollit
Sigurimi i Starlink për Ukrainën u krye përmes shërbimit privat të blogging X pa asnjë debat publik dhe pa asnjë kontroll nga parlamentet.
Që nga rizgjedhja e Trumpit i besuari i tij Musk ka pasur kompetenca shumë të gjera, dhe në të njëjtën kohë nuk i është nënshtruar asnjë kontrolli të drejtpërdrejtë parlamentar. Ajo që ai bën me Starlink, është vendimi i tij privat.
Nuk mund të përjashtohet, që ai ta shesë në një moment projektin Starlink tek ofertuesi më i shtrenjtë. Sistemi i rëndësishëm strategjik i komunikimit satelitor mund të binte në duar të gabuara, nëse për shembull shtetet totalitare apo rivalët strategjikë do të mund të hynin në këtë rrjet global.
Si funksionon Starlink në Ukrainë?
Koncerni hapësinor i Musk, SpaceX, ka lëshuar që nga viti 2019 gjithsej 7.770 satelitë starlink në orbitën e ulët të tokës (gjendja më 31 janari 2025). Qëllimi është zgjerimi i rrjetit deri në 42.000 satelitë.
Që të përdoren të dhënat satelitore, nevojitet edhe një pajisje marrëse në tokë, e cila vepron si një ruter dhe lidh pajisjet me satelitin më të afërt. Marrësi e drejton automatikisht pjatën marrëse, që i ngjan një pjate satelitore televizive, te një satelit i disponueshëm dhe kështu vendoset lidhja me internetin.
Cilat janë përfitimet nga Starlink?
Interneti satelitor është relativisht i lehtë për t’u përdorur. Të dhënat rrjedhin pandërprerë dhe jashtëzakonisht shpejt. Sepse satelitët Starlink rrotullohen në një lartësi prej 328 deri në 614 kilometra rreth tokës, që është dukshëm më e ulët se satelitët e konkurrentëve.
Për krahasim: Satelitët e kryesuesit të deritanishëm të tregut satelitor Hughesnet rrotullohen rreth tokës në një lartësi prej 35.000 kilometrash. Prandaj transmetimi i të dhënave zgjat rreth dhjetë herë më shumë sesa me Starlink.
Konkurrencë në orbitë
Megjithatë edhe Elon Musk po “mbush” orbitën tonë me satelitët e tij privatë. Më shumë se 13.000 satelitë u rrotulluan gjithsej rreth tokës deri në nëntor 2024. Prej tyre rreth 8.600 i përkasin SHBA.
Një problem tjetër është jetëgjatësia relativisht e shkurtër e satelitëve Starlink, të cilët pas rreth pesë vjetësh pushojnë së punuari. Edhe pse ata në pjesën më të madhe digjen, kur rihyjnë në atmosferën e tokës, satelitë të rinj duhet të lëshohen vazhdimisht në hapësirë, për të mos lejuar krijimin e boshllëqeve në rrjet./DW