SHBA- Në vetëm shtatë javë që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, Donald Trump ka ndryshuar qasjen e SHBA ndaj pushtimit të Ukrainës dhe e ka trajtuar Rusinë gjithnjë e më shumë jo si një kundërshtar, por një aleat. Duke lënë pas dekada të tëra të bashkëpunimit me Evropën kundër agresionit rus, presidenti amerikan pezulloi ndihmën ushtarake dhe inteligjencën për Kievin dhe tha të premten se e ka më të lehtë të punojë me Rusinë sesa Ukrainën.
12 Shkurt: Telefonata Trump-Putin për të nisur negociatat për përfundimin e luftës
Qendrat politike në Moskë reaguan me entuziazëm pasi Trump zhvilloi një telefonatë direkte me Putinin, gjatë së cilës të dy liderët ranë dakord të fillojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Biseda 90-minutëshe shënoi arritjen më të madhe diplomatike të viteve të fundit për Putinin dhe i dha një goditje përpjekjeve trevjeçare të Perëndimit për ta izoluar atë.
Trump foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy vetëm pas telefonatës me Putinin, duke i imponuar në thelb atij kushtet e negocimit. Zyrtarët rusë thanë se janë duke u bërë përgatitjet për një takim sy më sy mes Trump dhe Putin. Putin e ka ftuar Trumpin të vizitojë Moskën, dhe nëse kjo ndodh, do të ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në Rusi që nga viti 2009.
12 shkurt: Përjashton anëtarësimin në NATO të Ukrainës
Në të njëjtën ditë me bisedën Putin-Trump, sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth përjashtoi anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Hegseth, duke folur në një samit në Bruksel, tha se ishte jorealist që Ukraina të priste të kthehej në kufijtë e saj të para vitit 2014 dhe këmbënguli se çdo marrëveshje paqeje do të duhej të sigurohej nga trupa të afta evropiane dhe jo-evropiane, të cilat ai theksoi se nuk do të vinin nga SHBA.
14 Shkurt: Injorimi i luftës në Ukrainë dhe sulmi ndaj aleatëve evropianë në fjalimin e Mynihut
Liderët evropianë u tronditën kur zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, sulmoi aleatët e Uashingtonit dhe vuri në dyshim nëse SHBA dhe Evropa kishin ende një axhendë të përbashkët. Në vend që të fliste për luftën në Ukrainë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai argumentoi se kërcënimi i vërtetë për Evropën nuk vinte nga Rusia apo Kina, por nga braktisja e vlerave themelore të fjalës së lirë. Vance pritej të trajtonte çështjen kritike të luftës së Ukrainës në fjalimin e tij në konferencën e sigurisë në Mynih, por në vend të kësaj ai u ndal tek Evropa.
18 Shkurt: Takime për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë
Zyrtarë të lartë të SHBA dhe Rusisë u takuan në Arabinë Saudite për të nisur bisedimet më të zgjeruara diplomatike që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia. Në bisedimet e Riadit, të cilat përfshinin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, të dyja palët ranë dakord të punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike SHBA-Rusi. Asnjë zyrtar ukrainas apo evropian nuk ishte i pranishëm në takim.
19 Shkurt: Fajësimi i Kievit për fillimin e luftës
Trump deklaroi se Ukraina ishte fajtore për pushtimin rus, duke u shprehur i zhgënjyer që Zelenskyy u ankua për përjashtimin nga bisedimet SHBA-Rusi. Ai gjithashtu i kërkoi Zelenskyy-t të organizonte zgjedhje një kërkesë kyçe e Moskës. Kushtetuta e Ukrainës parashikon pezullimin e zgjedhjeve gjatë ligjit ushtarak.
24 Shkurt: SHBA voton përkrah me Rusinë në OKB
Në një kthesë të madhe, SHBA votoi kundër një rezolute të hartuar nga Evropa që dënonte agresionin rus dhe mbështeste integritetin territorial të Ukrainës. SHBA u rreshtua me Rusinë, Bjellorusinë dhe Korenë e Veriut, duke krijuar precedentin e votimit amerikan kundër një rezolute pro-Ukrainës që nga koha e pushtimit të saj. Ishte hera e parë që nga pushtimi rus që SHBA votoi kundër një rezolute të mbështetur nga Ukraina.
Më pas, SHBA-ja hartoi dhe votoi për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila bënte thirrje për përfundim të shpejtë të konfliktit, por nuk përmbante asnjë kritikë ndaj Rusisë. Kremlini vlerësoi Uashingtonin për qëndrimin e tij shumë më të balancuar dhe mbështeti rezolutën.
28 Shkurt: Poshtërimi i Zelenskyy-t në Zyrën Ovale
Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe Vance poshtëruan hapur Zelenskyy-n, duke e sulmuar atë para kamerave botërore. Zelenskyy kishte udhëtuar në Uashington për të diskutuar një marrëveshje minerare me SHBA, e cila do të ndihmonte në arritjen e një armëpushimit me Rusinë, por takimi përfundoi në kaos dhe konferenca për shtyp u anulua. Zyrtarët rusë e festuan skenën e përplasjes Trump-Zelenskyy.
1 Mars: SHBA tërhiqet nga lufta kundër sulmeve kibernetike ruse
Administrata Trump ndryshoi qëndrim për kërcënimin kibernetik rus, duke sinjalizuar publikisht dhe privatisht se nuk e konsideron më Rusinë si një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ekspertët e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) u urdhëruan të ndalonin ndjekjen e kërcënimeve ruse.
3 dhe 5 Mars: Pezullimi i ndihmës ushtarake dhe asaj të inteligjencës për Ukrainën
Menjëherë pas përplasjes në Zyrës Ovale, administrata Trump pezulloi dërgesat e ndihmës ushtarake dhe ndaloi ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, konfirmoi se SHBA ishte duke bërë një hap prapa dhe rishikonte të gjitha aspektet e marrëdhënieve me Ukrainën.
Administrata Trump u raportua gjithashtu se po hartonte një plan për të rivendosur lidhjet me Rusinë dhe për të hequr sanksionet ndaj Kremlinit, si pjesë e bisedimeve të gjera të administratës me Moskën për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike.
7 Mars/ Trump: Është më e lehtë të punosh me Rusinë sesa me Ukrainën
Pas një sulmi të madh me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, Trump deklaroi se e kishte më të lehtë të punonte me Rusinë dhe se Putin dëshiron t’i japë fund luftës.
“I besoj,” tha Trump, kur u pyet nëse besonte se Putin donte paqe.
“Është më e vështirë të merresh me Ukrainën. Ata nuk i kanë letrat në dorë,” tha Trump.
Trump gjithashtu shtoi se gjithmonë kishte pasur marrëdhënie të mira me Putinin. I pyetur nëse lideri rus po përfitonte nga pezullimi i shkëmbimeve të inteligjencës amerikane dhe ndihmës ushtarake për Ukrainën, Trump u përgjigj: “Mendoj se ai po bën atë që do të bënte kushdo tjetër.”/The Guardian