Atalanta bëri ç’të donte në Allianz Stadium kundër Juventus: mbylli pjesën e parë në avantazh dhe vulosi fitoren brenda pak minutash në pjesën e dytë. Pas golit të 3-0 të shënuar nga Zappacosta, Thiago Motta mori një vendim që habiti jo pak tifozët bardhezi dhe jo vetëm: largoi Kolo Muani dhe aktivizoi Dusan Vlahovic, pra një sulmues për një tjetër, edhe pse ekipi ishte në disavantazh të thellë.
Reagimi i Kolo Muani
Në minutën e 75’, kur ndodhi zëvendësimi, fytyra e sulmuesit francez tregonte gjithçka: zhgënjim, si për rezultatin, ashtu edhe për faktin që po largohej nga loja. Një vendim i papritur, veçanërisht në një situatë ku duhej tentuar përmbysja.
Ndërrimi i bërë nga Thiago Motta nuk dha asnjë efekt pozitiv. Madje, vetëm dy minuta më pas, Vlahovic bëri një rrëshqitje të çuditshme në mesfushë, duke i dhënë mundësinë Lookman të niste një kundërsulm të shpejtë që përfundoi me golin e 4-0 për Atalantën.
Juventus, humbja më e rëndë në shtëpi pas 58 vitesh
Juventus, i mundur 4-0 në shtëpi nga Atalanta, pësoi humbjen më të rëndë në një ndeshje të Serie A me të paktën katër gola diferencë që nga 22 tetori 1967 (0-4 në derbin ndaj Torinos). Nëse lëmë mënjanë derbin, për të gjetur një humbje të tillë duhet të kthehemi edhe më prapa, në sezonin 1955/56, kur bardhezinjtë u mposhtën 0-4 nga Fiorentina.
Lexo më tej: Thiago Motta irritohet me gazetarin: “Bëre pyetjen, tani dëgjo. Nuk vij për skena”
Kjo është gjithashtu humbja më e thellë që nga hapja e Juventus Stadium, në shtator 2011. Pas përfundimit të ndeshjes, stadiumi shpërtheu në fishkëllima, me tifozët që largoheshin para kohe nga shkallët e impiantit. I vetmi që u duartrokit në momentin e zëvendësimit ishte Gatti.