Vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta kufizuar përkrahjen e Ukrainës me informata të inteligjencës do t’i dëmtojë rëndë aftësitë e Kievit për ta mbrojtur veten kundër Rusisë, por nuk do nënkuptojë fund për përpjekjet e Ukrainës për të luftuar, thonë zyrtarët dhe analistët.
Uashingtoni njoftoi më 5 mars se vendosi kufizime ndaj ndarjes së informatave të inteligjencës me Ukrainën, pasi paraprakisht e kishte pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin.
Si po i përdor Ukraina informatat e inteligjencës amerikane?
Maxar, kompania amerikane që ofron imazhe satelitore me rezolucion të lartë, tha për Current Time se klientët e saj ukrainas po përballen me kufizime për t’u qasur në të dhënat që ofrohen nga Shtetet e Bashkuara.
Të dhënat e inteligjencës amerikane ia kanë mundësuar ushtrisë së Ukrainës t’i planifikojë sulmet dhe operacionet e saj, si dhe të marrë paralajmërime në kohë për sulmet ajrore ruse, si dhe sulmet tokësore, thanë ekspertët.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kiev, janë goditur vazhdimisht nga sulme ajrore.
Roman Kostenko, sekretar i Komitetit Parlamentar të Ukrainës për Sigurinë Kombëtare, Mbrojtjen dhe Inteligjencë, tha se mungesa e informatave jetike të inteligjencës amerikane e vë “në rrezik më të madh” jetën e ushtarëve dhe civilëve ukrainas.
“Por, [ne mbështetemi te inteligjenca amerikane] për të parë në kohë reale nëse atje janë avionë, nëse ata po përgatiten për t’u ngritur për ta sulmuar Ukrainën”, shtoi ai.
Sisteme të avancuara dhe spiunë
Duke e përshkruar inteligjencën amerikane si “superiore” dhe “të pakrahasueshme”, analisti rus i inteligjencës me bazë në Nju Jork, Ruslan Leviev, tha se Shtetet e Bashkuara zotërojnë një rrjet të gjerë satelitësh zbulues, teknologji të avancuar dhe burime financiare shumë më të mëdha për të investuar në aftësitë e tyre të inteligjencës.
Leviev, themelues i Conflict Intelligence Team, një organizatë e pavarur që heton aktivitetet ushtarake ruse, theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë “më shumë aftësi” se çdo vend tjetër për të rekrutuar agjentë në terren.
A mund të mbijetojë Ukraina me më pak të dhëna të inteligjencës amerikane?
Ekspertët dhe politikanët pajtohen se vendimi i Uashingtonit për ta kufizuar ndarjen e informatave të inteligjencës do ta vendosë Ukrainën në pozitë të vështirë dhe më të pafavorshme në luftën e saj kundër Rusisë.
Por, disa ukrainas shpresojnë se vendi do ta mbulojë boshllëkun e informatave të inteligjencës me informata që ia ofrojnë aleatët e tjerë perëndimorë, si dhe me informata nga burimet e veta.
Sipas mediave britanike, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i ofrojë të dhëna të inteligjencës Ukrainës, megjithëse nuk do t’ia pasojë të dhënat e pranuara nga Shtetet e Bashkuara.
“Franca, Gjermania, Britania, Italia dhe Kanadaja kanë aftësi të ngjashme për grumbullimin e informatave të inteligjencës. Nuk ka mungesë të informatave të inteligjencës dhe sigurimi i një informacioni të tillë nuk është problem”, tha Bezsmertniy.