“Shqipëria Madhështore”/ Berisha u përgjigjet ndjekësve, nga kundërshtimi ndaj censurës te reformat ekonomike dhe sociale

3 Min Read

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Facebook, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, bëri një gamë deklaratash që shpalosin vizionin e tij për të ardhmen e vendit. Gjatë transmetimit direkt, Berisha u përball me pyetje të komentuesve, duke u shprehur mbi çështje të ndryshme, nga kundërshtimi ndaj mbylljes së TikTok nga qeveria, deri te premtime për reforma të thella në fusha ekonomike, sociale dhe institucionale.

Berisha kritikon mbylljen e aplikacionit TikTok nga qeveria, e cilën e përshkruan si një akt të rëndë censure. Ai theksoi se censura ka qenë gjithmonë një mjet i përdorur nga regjimet diktatoriale për të shtypur mendimet e ndryshme, duke iu referuar edhe deklaratave të presidentit Donald Trump për rrezikun e armikut të brendshëm. Sipas tij, vendosja e kufijve mbi një mjet komunikimi si TikTok është një intolerancë ndaj mendimit ndryshe.

Berisha theksoi se viti 2025 do të jetë “viti i diasporës shqiptare”. Ai premtoi se vota e shqiptarëve jashtë vendit do të jetë e sigurt dhe inkurajoi qytetarët e regjistruar të votojnë për shpëtimin e Shqipërisë. Në këtë kontekst, shprehu përkushtimin për monitorimin e çdo elementi të procesit zgjedhor.

Berisha përmendi “aferën McGonigal”, dhe paralajmëroi se nuk është çudi nëse Rama do të kërkohet të ekstradohet në SHBA.

Berisha paralajmëroi se në “tre muajt e para” të qeverisjes së PD do të hedhë bazat ligjore për krijimin e një klimë më miqësore ndaj biznesit. Ai përmendi uljen drastike të çmimeve të energjisë, incentivimin e investimeve në sektorin e energjisë diellore, zgjerimin e projekteve të mëdha minerare dhe krijimin e kushteve për një ambient më të favorshëm për bizneset shqiptare. Në thelb, u premtua një rivendosje e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investime të brendshme dhe të huaja.

Sali Berisha theksoi se krimet elektorale do të trajtohen me ashpërsi dhe çdo shkelje e ligjit do të përballet me një audit të fortë.

Gjithashtu, ai vuri në dukje rëndësinë e reformave në fushën e drejtësisë.

Në mbyllje, Berisha deklaroi se projektet e tij për “Shqipërinë Madhështore” synojnë të krijojnë një klime të re për investime, të ulë çmimet për konsumatorët dhe të rivendosë Shqipërinë si një superfuqi rajonale, sidomos në sektorin e energjisë.

Share This Article
Leave a Comment