Primaret dhe kontrasti |

2 Min Read

Nga Genc Pollo

Debat mbi primaret e PD në studjot tv ku nuk mungojnë kritika e përqeshje nga të zakonshmit.

Si anëtar i PD votova në degën 5, Tiranë para një jave dhe po shënoj disa mendime:

1-Primaret janë një risi interesante pasi japin zyrtarisht preferencën e anëtarësisë për “kandidatët për kandidat për deputet”. Rezultati është zyrtar e institucional si edhe publik; prandaj ka bazë më solide se sa pëlqyeshmëria e kandidatit sipas sondazheve të opinionit. Organet e partisë që miratojnë përfundimisht listën e kandidatëve (kryesia & kryetari në rastin tonë) kanë përgjegjësinë t’a konsiderojnë rezultatin e primareve si dhe riskun në se e injorojnë. Kur votim mazhoritar (për kryebashkiak) rezultati i primareve përcaktoi kandidatin e PD/koalicionit. Meqë kemi sistem proporcional rajonal është e arsyeshme që primaret të ponderohen me kritere të tjera meritore.

2-Kritikat e pretendimet mbi parregullsitë (listat e anëtarësisë, shtesë emrash mbas afatit, etj. etj.) lipset të shqyrtohen nga një komision që përgatit një raport e rekomandime. Këto do të vlejnë për përmirësime në primaret e ardhshme. Duhet patur parasysh se nuk ka sistem demokratik perfekt. Në demokracitë e hershme gjejmë votim direkt e indirekt, proporcional, mazhoritar e të përzier etj. Secili variant ka pluset e minuset e tij dhe i është përshtatut shtetit përkatës. Po kjo mund të thuhet për primaret.

3-Në çdo rast lipset të theksohet kontrasti: në PD me primaret kemi një përpjekje për transparencë dhe legjitimim demokratik të kandidatëve për deputet.

Në kryesinë e PS në v2021 Rama propozoi në listën fituese dy funksionarë të inceneratorëve (LK e AB, sot në burg) të cilët nuk kishin lidhje me PS. Dosja Çyrbaj tregon se listën e PS në qarkun Durrës e hartonin narkobandat (Rama nuk ka dhënë shpjegime për asnjë nga këto raste).

Mendoj se ky kontrast është më i rëndësishëm aktualisht se sa debati mbi detajet e primareve në PD

Share This Article
Leave a Comment