Nuk më foli për muaj të tërë, u ofendua nga një fjali e imja |

3 Min Read

Leandro Paredes dhe Leo Messi janë miq prej kohësh, por siç ndodh shpesh në marrëdhëniet njerëzore, edhe ata patën një periudhë të vështirë, ku u distancuan nga njëri-tjetri.

Për 3 muaj nuk u panë, nuk folën dhe nuk shkëmbyen asnjë mesazh. Ngjarja ndodhi në vitin 2021, kur Messi luante ende te Barcelona, ndërsa Paredes ishte mesfushor i PSG.

Më 16 shkurt të atij viti, skuadra katalanase priti parizienët në “Camp Nou” për ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League. Pas golit të dytë të Kylian Mbappé, i cili shënoi tri herë në atë sfidë, Paredes bëri një koment për të inkurajuar shokët e tij të skuadrës, duke nënvlerësuar ekipin kundërshtar, ku luante edhe Messi.

Në mungesë të tifozëve për shkak të pandemisë, fjalët e tij arritën në veshët e Leos, i cili nuk e priti aspak mirë dhe reagoi me fyerje e gjeste në fushë. Paredes e injoroi situatën deri në fund të ndeshjes, por ky episod do të shënonte një nga momentet më të vështira në karrierën e tij.

“Të nesërmen i dërgova një mesazh duke i thënë se fjalët e mia nuk ishin për të. Pas 15 ditësh i shkrova sërish…, por heshtje, – kujton Paredes në një intervistë për median argjentinase “Infobae”. – I dërgova edhe një tjetër mesazh: Nuk ishte për ty, nuk doja të të ofendoja. Megjithatë, ai nuk u përgjigj kurrë. Më pas kaluan tre muaj pa më folur fare”.

Për shkak të pandemisë, ata nuk u takuan menjëherë, por vetëm në qershor, përpara “Copa América”. “Keqkuptimi ndodhi në shkurt…, kaluan më shumë se tre muaj pa folur. Kur shkova në grumbullim, mendova: Tani duhet të shoh si do të reagojë ai”.

Koha dhe distanca e ndihmuan Messin të qetësohej dhe të pajtohej me mikun e tij. Paredes theksoi se Leo “është një fenomen, një fenomen i vërtetë në çdo aspekt”. Në fund, gjithçka u mbyll në një mënyrë të papritur: “Një ditë Messi hyri në dhomën time ndërsa po laja dhëmbët dhe më hodhi ujë. Qeshëm dhe gjithçka u harrua aty. Tani kemi një marrëdhënie të mrekullueshme, si më parë”.

Share This Article
Leave a Comment