Por, në fund të javës, Kosova, me kërkesë të Serbisë, sërish u la jashtë agjendës për në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe këtë e bëri të njohur vetë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç.
“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Bërnabiç, para deputetëve të parlamentit serb.
Serbia, vitin e shkuar, kishte formuar edhe një grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës nëKëshillin e Evropës. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten (07.03.2025) për mediet në Bruksel se “Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023”.
Marrëveshja e Ohrit ligjërisht e detyrueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë
Këshilli i Evropës, ku Kosova po synon të anëtarësohet, është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit./DW