Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët ka dhënë detaje për regjistrimin e diasporës. Më 11 maj do të votojnë 245.975 votues nga jashtë, pasi aplikimet e tyre kanë qenë të suksesshme. Ndërsa 48180 aplikime janë refuzuar dhe për të refuzuarit nuk do të ketë një shans të dytë.
Celibashi: Jo nuk mund të bëhet asgjë.
Celibashi tha se shqiptari me moshën më të madhe që është regjistruar online është një 98-vjeçar me banim në Gjermani. Aplikimi i parë gjithashtu është bërë nga Gjermania më 11 janar. Ndërsa një shqiptar arriti të regjistrohej pasi aplikoi 25 herë.
Kreu i KQZ deklaroi se më 9 mars do të publikohet lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë. Ai theksoi se pas kësaj, do të ketë edhe një afat për të korrigjuar adresat nga data 9-12 mars, vetëm për ata që janë regjistruar.
Celibashi: Janë 53 parti politike të regjistruara dhe tre koalicione. Deri tani ka paraqitur listën shumë emërore Lëvizja Bashkë. Nga 9-12 mars, vetëm ata që janë të regjistruar, kanë të drejtë të kërkojnë të bëjnë ndryshime që lidhen me adresën dhe vetëm me adresën. Në datën 9 shpallim listën paraprake, që do të thotë se ti si institucion i ke miratuar kërkesat dhe ata janë në listën paraprake të votuesve nga jashtë, për kategorinë e atyre që kanë marrë refuzim nga KQZ nuk mund të bëhet asgjë dhe kjo është e qartë si në KQZ dhe në rregullator. Ata që janë të regjistruar në listë, nëse shikon pasaktësi, kjo pasaktësi lidhet vetëm me adresën mund të paraqesin kërkesë në KQZ për t’i korrigjuar. Pas datës 9, ka 48 orë kohë për saktësim adresave vetëm për ata që janë regjistruar
Celibashi bëri me dije se të gjithë ata qytetarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim nga KQZ mund të ankohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, jo më vonë se 11 prilli.
Celibashi: Të gjithë ata që u është refuzuar kërkesa nga KQZ mund të ankohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë jo më vonë se data 11 prill. Pra nga momenti që u është refuzuar kërkesa deri më 11 prill, mund të paraqesin një ankesë në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, nëpërmjet një platforme online, që besoj me siguri Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka shprehur vullnetin për ta patur këtë platformë.