200 palë këpucë janë gjetur në një krematorium klandestin në një fermë në shtetin meksikan të Jaliscos. Zbulimi është një provë shqetësuese e zhdukjeve dhe eliminimit të njerëzve nga krimi i organizuar. Krematoriumi i gjet nga “Warrior Searchers of Jalisco”, një organizatë e të afërmve të të zhdukurve. Ata kishin marrë një njoftimi anonim dhe autoritetet kanë konfirmuar praninë e mbetjeve njerëzore të djegura dhe të gëzhojave të plumbave. Organizata dyshon se eshtrat janë të personave të zhdukur.
“Ata duhet të bëjnë një hetim shterues. Ne kërkojmë që ata të sjellin qentë që janë të certifikuar për të gjetur mbetje njerëzore dhe eshtra” – tha për AFP Índira Navarro, një përfaqësuese e organizatës. Krematoriumi u gjet në një fermë që u kontrollua nga autoritetet disa muaj më parë. Në atë operacion u arrestuan 10 persona të armatosur, dy persona të rrëmbyer u liruan ndërsa u gjet edhe një trup i pajetë.
Në brendësi të fermës u gjet edhe një zonë stërvitjeje që dyshohet se përdorej për rekrutimin dhe trajnimin e anëtarëve të rinj të kartelit “Jalisco New Generation”. Ky kartel është shpallur kohët e fundit si organizatë terroriste nga administrata Trump. Ai është një nga grupet më të fuqishme të krimit të organizuar në Meksikë dhe është i përfshirë në trafikun e drogës dhe njerëzve në të gjithë vendin, por edhe ndërkombëtarisht.
Autoritetet thanë se nuk kishin qenë në gjendje të eksploronin plotësisht fermën kur e gjetën për herë të parë. sipas tyre furrat dhe kockat e gjetura këtë javë ishin “të fshehura nën një shtresë dheu dhe një pllakë tulle, gjë që pengoi zbulimin e tyre në inspektimin fillestar”.
Kur anëtarët e organizatës arritën në fermë këtë javë, ata gjetën një kasolle me veshje, çanta, çanta shpine, valixhe dhe këpucë të shpërndara nëpër tokë. Brenda pak orësh ata gjetën të parën nga tre furrat e nëndheshme. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se sa njerëzve mund t’u përkasin mbetjet e gjetura në fermë.