Nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universitetit, të cilët kanë tre muaj që protestojnë duke kërkuar përgjegjësinë për vdekjen e 15 personave nga shembja e një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme ditën e sotme.
Pasdite, sheshi Slavija, një nga pjesët më të frekuentuara të Beogradit, është i mbushur me njerëz, por jo për shkak të trafikut, por për shkak të protestave. Maturantë, gjimnazistë, studentë dhe bashkëqytetarë mbushën rrugët përreth duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve. Mediat serbe bëjnë me dije se protestat janë planifikuar edhe në qytete të tjera.
Kjo është greva e dytë e përgjithshme, pas asaj të mbajtur më 24 janar. Mediat vendase raportojnë se qytetarët u mblodhën në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë, në ato me numrin më të madh si në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc. Gjithashtu protesat janë një formë tjetër presioni ndaj shtetit për të përmbushur kërkesat e tyre për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë në Novi Sad, si dhe për sulmet ndaj studentëve në bllokada.