Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacionet që mund të ndihmojnë në kapjen e Ryan Wedding, 43 vjeç, dhe e vendosën kanadezin në listën e “Dhjetë të arratisurve më të kërkuar” nga FBI.
Kanadezi ishte një atlet snowboard-i, që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2002, në Salt Lake City, duke përfunduar në vendin e 24-t në slalomin paralel.
Sot ai është një nga 16 të akuzuarit që përballen me akuza në Shtetet e Bashkuara për përfshirje në trafikun e drogës dhe dyshohet se ka orkestruar shumë vrasje dhe tentativa vrasjesh për të realizuar këtë aktivitet kriminal, sipas një komunikate të FBI-së.
“Wedding kaloi nga krijimi i pluhurit në pistat e skive gjatë Lojërave Olimpike, në shpërndarjen e kokainës nëpër rrugët e qyteteve të Shteteve të Bashkuara dhe në vendlindjen e tij, Kanada,” njoftoi Akil Davis, zëvendësdrejtor në zyrën e FBI-së në Los Angeles.
“Vrasjet e dyshuara të konkurrentëve të tij e bëjnë Wedding një njeri shumë të rrezikshëm dhe përfshirja e tij në listën e Dhjetë Arratisurve më të Kërkuar, së bashku me një shpërblim të rëndësishëm nga Departamenti i Shtetit, do ta bëjë publikun partnerin tonë për ta kapur atë para se të rrezikojë edhe dikë tjetër.”
‘El Jefe’, ‘Giant’ ose ‘Public Enemy’ janë disa nga emrat për të cilët është bërë i njohur, dhe sipas Davis, ai mund të jetojë nën mbrojtjen e kartelit të Sinaloas. Sipas prokurorit të përkohshëm federal, Joseph McNally, Wedding ka dërguar qindra milionë dollarë kokainë nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada përmes Meksikës.
“Vlerësohet se rreth 60 tonelata kokainë në vit dhe pesë tonelata fentanil në muaj transportoheshin përmes Los Angeles-it për në qytete të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë,” shtoi Alan Hamilton, shef i hetuesve të Departamentit të Policisë së Los Angeles, duke shpjeguar se Wedding përdori qytetin e jugut të Kalifornisë si qendër operacionale për kontrabandën e drogës.
Përveç 10 milionë dollarëve, ekziston një shpërblim tjetër prej 50 mijë dollarësh (46 mijë euro) për informacionin që çon në arrestimin dhe ekstradimin e tij, i cili do të ofrohet në bashkëpunim me qeveritë kanadeze dhe meksikane.