Capello e çasti kur Inter shiti Roberto Carlos: “Nuk mund të jenë aq budallenj”

5 Min Read

Roberto Carlos mbërriti në Milano në vitin 1995 për 7 milionë dollarë, rreth 10 miliardë lireta, por në fund të sezonit, trajneri i atëhershëm Roy Hodgson e konsideroi atë si “taktikisht të padisiplinuar” dhe vendosi që ai të ishte i sakrifikueshëm në merkato, pasi kishte vendosur të luante me Alessandro Pistone në vend të tij. Braziliani nuk e kishte vlerësuar asnjëherë mënyrën se si trajneri anglez e përdorte dhe kërkoi të largohej. Real Madrid e kuptoi menjëherë mundësinë dhe për rreth 600 milionë peseta (pak më shumë se 7 miliardë lireta të asaj kohe), e transferoi atë në Spanjë.

Capello rrëfen detajet e marrëveshjes

“Sapo kisha firmosur për Real, isha ende në Milano kur më telefonoi një menaxher dhe më tha: ‘Fabio, Inter po shet Roberto Carlos’. U përgjigja: ‘Nuk është e vërtetë, askush nuk është kaq budalla’. Ai insistoi: ‘Të premtoj, do të kushtojë vetëm 500 milionë peseta’. Nuk mund ta besoja, nuk ishte as i shtrenjtë. I thashë se do t’i besoja vetëm nëse më dërgonte një faks me dokumentet e firmosura të Inter. Ishte ora katër pasdite, dhe faksi mbërriti në shtëpinë time në orën tetë.

Mendova se ishte një shaka. Telefonova menjëherë Lorenzo Sanz dhe i thashë të merrte fluturimin e parë për të ardhur, sepse nëse do të përhapej lajmi se po e shisnin me atë çmim, do të shpërthente luftë. Në orën 11 të mëngjesit të nesërm, gjithçka ishte firmosur për Carlos. Ishte transferimi më i shpejtë në histori, por një mundësi e tillë të ndryshon fatin. Ndonjëherë futbolli është i pakuptueshëm… sepse është plot me njerëz që nuk e kuptojnë atë”.

Capello dhe Real Madrid, një histori dashurie në dy periudha

Fabio Capello u punësua nga Real Madrid në verën e vitit 1996 me dëshirën e presidentit Lorenzo Sanz, i cili donte të rindërtonte klubin pas vendit të gjashtë në sezonin e kaluar. Trajneri friulan e mbylli eksperiencën e tij të parë spanjolle duke fituar La Liga me dy pikë avantazh ndaj Barcelonës, por kishte hyrë në konflikt me Sanz dhe e shpalli largimin e tij që në pranverë. Më vonë u zbulua se pas kësaj vendimi ishte një telefonatë nga Silvio Berlusconi: “Aventura ime te Real Madrid përfundoi me një telefonatë nga Berlusconi që më kërkoi të kthehesha te Milan. I detyrohesha gjithçka atij dhe nuk mund t’i thoja jo”.

Një vit më pas, Real fitoi Champions League dhe Capello e ndien atë sukses si pjesërisht të tijin: “Një pjesë e asaj Champions League është meritë e imja, sepse kur mbërrita, Real Madrid nuk kishte fituar asgjë për tre vjet dhe ndërtuam një skuadër të re kampione me djem si Víctor [Sánchez del Amo] apo Álvaro [Benito], deri në dëmtimin e tij, dhe me blerje të mira. Nuk ishte një Real Madrid me të gjitha paratë që ka sot, kështu që duhej të merrnim vendimet e duhura”.

Konflikti për Beckham

Në eksperiencën e tij të dytë te Real Madrid, Capello fitoi sërish titullin në La Liga pas një remontade të jashtëzakonshme kundër Barcelonës. Ai e përshkruan atë sukses kështu: “Ishte një përmbysje e vërtetë dhe historike, ku kapërcyem shumë probleme. Fundi i epokës së ‘Galaktikëve’? Jo, jo, nuk bëhej fjalë as për ‘Galaktikë’ e asgjë të tillë. Zidane dhe Figo nuk ishin më. Roberto Carlos ishte në fund të karrierës dhe kishim problemin Beckham.

Ai kishte firmosur tashmë për të shkuar te Los Angeles dhe kjo nuk i pëlqente aspak klubit, sepse i kishin ofruar një rinovim kontrate. Calderón dhe Mijatovic më kërkuan të mos e aktivizoja më. Në fillim i binda, por pas dhjetë ditësh duke parë Beckham të stërvitej pa pushim, si askush tjetër, pavarësisht se ishte jashtë planeve, thashë: ‘Mjaft. Ai është lojtar i Real dhe do të luajë’. Klubi nuk e priti mirë, por nuk më interesonte. Ishte gjëja më e drejtë”.

Share This Article
Leave a Comment