Akuza mes partive shqiptare për diskriminim në mbrojtje dhe ushtri

3 Min Read

Në këtë situatë alarmante, partitë shqiptare në Qeveri duhet të ndërpresin rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese. Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë, por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre”, kumtuan të premten nga BDI.

“Gjenerali i brigadës, Simeon Trajkovski, drejtori aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, është emëruar këshilltar i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë për trajnim, ushtrime dhe mësime të mësuara”, thuhet në njoftim.

Nga BDI thanë se zhvendosja e gjeneralit Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve, pozitë që sipas partisë përfshin rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë, drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.

Po ashtu, nga Zyra e presidentes maqedonase informuan se kolonel Lulzim Nuredini është emëruar komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës dhe me dekret të Presidentit është ngritur në gradën gjeneral brigade. “Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike“, shtuan nga BDI.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, nga ky koalicion, gjatë një bisede me Zërin e Amerikës, në janar të këtij viti, deklaroi se shqiptarët në hierarkinë ushtarake përfaqësohen me 50 për qind.

Megjithatë, ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në Ministrinë e Mbrojtjes.Në faqen e internetit të kësaj ministrie nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës.

Në Maqedoninë e Veriut po planifikohet edhe hapja e një konkursi për pranimin e 300 ushtarëve, dhe pritet të publikohet së shpejti. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, theksoi se gjatë përzgjedhjes nuk do të merren parasysh kuotat etnike, por do të pranohen të gjithë ata kandidatët që plotësojnë kushtet e konkursit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, të gjithë ata që duan të përfshihen në sistemin e sigurisë. Dhe këtu nuk ka përqindje, kushdo që plotëson kushtet, do të pranohet. Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në mbrojtjen e atdheut të tyre”, tha Mickoski, të mërkurën.

Share This Article
Leave a Comment