Prokuroria shkon të shohë nëse punon ose jo inceneratori, në zonë fiken dritat

3 Min Read

Një veprim hetimor që nevojitej të kryhej në terenin e Inceneratorit të Elbasanit, për të parë nëse ky impiant djegës i mbeturinave punon ose jo, ka sjellë dështimin e kqyrjes ligjore.

Gazetari i “Ora News”, ka mësuar se kqyrja në teren ka dështuar, pasi pa energji elektrike nuk mund të realizohej prova për të faktuar në teren nëse ky impiant është në gjëndje pune ose jo.

Në pamundësi për të kryer realizimin e provës, oficerët e prokurorisë Elbasan, kanë shoqëruar për ti marë në pyetje disa punonjës të shoqërisë “EcoElb”, midis të cilëve dhe administratorin, Leli Kaja.

Aksioni i sotëm ka të bëjë me një hetim të dytë të nisur nga Prokuroria e Elbasanit, rreth një viti më parë, bazuar në referimet e përcjella nga Drejtoria vendore e Policisë, pas identifikimit të shtimit të rasteve të djegies së pakontrolluar të mbeturinave.

Këtë herë është prokuroria e Elbasanit e cila ka regjistruar dosje penale, ku fillimisht hetimi u hap për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit”.

Për nisjen e hetimeve prokurori i Elbasanit, Xhelian Seferi, ka marrë shkak nga ngjarja e datës 27 korrik 2023, kohë kur inceneratori i Elbasanit, u përfshi nga shtëllunga të mëdha zjarri, duke u djegur mbeturinat.

Por ky hetim është zgjeruar edhe më tej, ku në qendër të verifikimeve për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”, është vendosur bashkia e Elbasanit dhe shoqëria “ECO Elb”.

Kjo e fundit prej më shumë se 3 viteve paguhet nga bashkia e Elbasanit dhe bashki të tjera të qarkut për një shërbim që nuk ekziston në inceneratorin e Elbasanit.

Sipas hetimeve kompania merret vetëm me administrimin dhe grumbullimin e mbetjeve në ambientet e hapura të inceneratorit, por nuk jep shërbimin e djegies së mbeturinave, pasi inceneratori i Elbasanit, nuk punon.

Po e njëjta kontratë është përsëritur edhe për vitin 2023 dhe 2024, miratuar me vendimin e datës 31 janar 2023 dhe 23 shkurt 2024.

Impianti i djegies gjatë vitit 2022 ka punuar rreth 24 ditë ndërsa për ditët e tjera të vitit nuk ka qenë në gjendje pune për shkaqe teknike.

Share This Article
Leave a Comment