Frymëmarrje për Tiranën në javën e 28-të të Kategorisë Superiore. Skuadra kryeqytetase mori pikët e plota në përballjen me Laçin në “Niko Dovana”, duke iu larguar disi fundit, por mbetet gjithsesi në zonën e ftohtë (vendi i tetë, që e dërgon në play out).
Bardheblutë triumfuan 4-1 përballë ekipit kurbinas, që konsiderohet rival direkt për mbijetesën.
Kjo ndeshje nisi mirë për skuadrën e Bledi Shkëmbit, që e gjeti golin që zhbllokoi takimin që në minutën e 6-të me Kolën, i cili u tregua i saktë me kokë në zhvillimet e një goditjeje të lirë.
Kundërpërgjigjja e Laçit, në fakt, ishte e shpejtë me Traore që përfiton nga gabimi Dembele për ta dërguar topin pas shpinës së Selmanit.
Pjesa e parë u mbyll 1-1, por Tirana u kthye me një tjetër marsh në fraksionin e dytë: në minutën e 53-të Jarmouni bën gjithçka mirë duke përmbyllur me gol një kundërsulm të shpejtë.
Golin e sigurisë për bardheblutë e realizoi Ernest, që nuk gaboi në mundësinë që iu dha për të mposhtur Mollën. Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi edhe Ndreca për rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë sukses Tirana shkon në kuotën e 29 pikëve, vetëm dy më pak se Laçi dhe Bylisi.